“Sami Kurteshi s`mundet…” – Përbërja e re KQZ`së, sot afati i fundit për partitë politike
Vetëm edhe sot (16 mars) deri në orën 16:00 subjektet politike kanë afat për t’i dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, propozimet për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përbërja e re e KQZ-së pritet të reflektojë rezultatin e subjekteve politike nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Kjo përbërje do të jetë plotësisht legjitime për të organizuar zgjedhjet e reja të parakohshme, në rast se ato mbahen, pas dekretit të presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Por, për këtë duhet pritur aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese deri me 31 mars.
Sipas këtyre rezultateve, 6 anëtarë pritet të emërohen nga radhët e subjekteve politike shqiptare: 2 nga Vetëvendosje, 2 nga PDK dhe nga një anëtar për LDK dhe AAK. Katër anëtarë të tjerë do të emërohen nga radhët e komuniteteve pakicë.
Aktualisht, në KQZ, Vetëvendosje dhe PDK përfaqësohen nga dy anëtarë, kurse LDK dhe AAK me nga një anëtar.
Nga komunitetet, Lista Serbe ka një përfaqësues, ndërkaq, turqit, boshnjakët dhe romët, gjithashtu nga një anëtar.
Më 9 mars 2026, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka dërguar subjekteve politike kërkesat e veçanta nga të cilat ka kërkuar propozimet me shkrim të emrave të kandidatëve për anëtarë të KQZ-së.
Sipas paragrafit 6 të nenit 61 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, subjektet politike duhet që brenda afatit prej 7 ditësh t’i dërgojnë propozimet e tyre.
Po sipas të njëjtit ligj dhe të njëjtit paragraf, emërimi i anëtarëve nga presidenti bëhet brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve.
Deri më tani, disa nga partitë politike kanë dërguar në Presidencë propozimet e tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dërguar emrat e anëtarëve aktual, Sami Hamiti dhe Muharrem Nitaj.
Merret vesh se Vetëvendosje dhe PDK ende nuk kanë propozuar zyrtarisht përfaqësuesit e tyre për KQZ.
Aktualisht, Vetëvendosje përfaqësohet nga Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi.
Ky i fundit nuk ka të drejtë të ri-emërohet pasi që sipas ligjit për zgjedhjet “anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se 3 mandate të njëpasnjëshme”.
Kurse, PDK përfaqësohet nga Ilir Gashi dhe Arianit Elshani.
Ky i fundit, gjithashtu nuk mund të ri-emërohet për shkak të kufizimit të njëjtë ligjor.



