Sazan Ibrahimi: Kontratat kolektive po dëmtojnë rëndë buxhetet e komunave

Sazan Ibrahimi: Kontratat kolektive po dëmtojnë rëndë buxhetet e komunave

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar financiare të komunave si pasojë e kontratave kolektive, raporton Periskopi.

Sipas tij, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, dhjetëra milionë euro janë marrë nga buxhetet komunale, duke i vënë ato në vështirësi serioze.

Ai theksoi se paditë e bllokuara në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe mungesa e veprimit nga Qeveria e Kosovës po rrezikojnë projektet komunale dhe po dëmtojnë zhvillimin lokal, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.

Shkrimi i plotë:

Komunat po sakatohen nga Kontratat kolektive edhe këtë vit
Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, me dhjetëra milionë euro janë marrë nga buxhetet e komunave, duke i vënë ato në një situatë jashtëzakonisht të vështirë financiare.
Në të njëjtën kohë, paditë e komunave të ngritura që nga viti 2021, vazhdojnë të mbeten të bllokuara në Gjykatën Komerciale. Kjo heshtje institucionale si nga Qeveria ashtu edhe nga gjykata po prodhon pasoja serioze për financat lokale dhe për qytetarët.
Situata bëhet edhe më alarmante kur dihet se rreth 27% e mjeteve të shpenzuara për kontratat kolektive shkojnë për procedura gjyqësore dhe përmbarimore, në vend që të përfitojnë drejtpërdrejt punonjësit. Kjoduhet të ndalohet.
Për pasojë, edhe këtë vit, shumica e projekteve komunale rrezikojnë të mos realizohen, pasi buxhetet po devijohen dhe do të devijohen për mbulimin e obligimeve që nuk janë krijuar nga vetë komunat, duke dëmtuar drejtpërdrejt zhvillimin lokal dhe shërbimet për qytetarët.
Kjo nuk është më vetëm çështje financiare, por çështje e drejtësisë dhe e funksionimit të shtetit ligjor.
Komunat kërkojnë urgjentisht:
• që Qeveria të marrë përgjegjësinë financiare që i takon;
• dhe që Gjykata Komerciale të trajtojë pa vonesë paditë e ngritura që nga viti 2021.
Sepse heshtja nuk është zgjidhje, ajo vetëm po e thellon padrejtësinë

Shpërndaje në: