Scaloni mban në ankth Argjentinën: a do të jetë Messi në Botëror?

Scaloni mban në ankth Argjentinën: a do të jetë Messi në Botëror?

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka komentuar situatën e Lionel Messit dhe të ardhmen e tij me kombëtaren, duke theksuar se ende nuk ka pasur bisedime konkrete për pjesëmarrjen në Kupën e Botës së ardhshme.

Scaloni zbuloi se ka takuar së fundmi kapitenin argjentinas, por biseda nuk ishte e fokusuar te Botërori:

“Jam takuar me Messin, jetoj shumë afër shtëpisë së tij. Kemi folur për shumë gjëra, por jo për Botërorin. Ka ende kohë dhe nuk ka nevojë ta ngarkojmë me presion. Duhet ta lëmë të qetë që ta marrë vetë vendimin e duhur.”

Tekniku kampion bote shtoi se vendimi i Messit do të respektohet plotësisht dhe më pas stafi teknik do të përshtatë planet e ekipit:

“Më pas do të mendojmë se çfarë është më e mira për skuadrën, bazuar në atë vendim.”

Scaloni vlerësoi edhe mentalitetin konkurrues të yllit 37-vjeçar, duke theksuar ndikimin e madh që ka te grupi:

“Ata që e njohin e dinë se ai kurrë nuk relaksohet. Është konkurrues i lindur, gjithmonë dëshiron të fitojë dhe të luajë. Kjo është shumë e rëndësishme për shokët e skuadrës, të cilët e shohin kapitenin të sillet kështu dhe motivohen të vijnë e të luajnë për kombëtaren.”

E ardhmja e Messit në Argjentinë mbetet e hapur, por sipas Scalonit, vendimi do të merret pa nxitim dhe pa presion, me interesin e ekipit gjithmonë në plan të parë.

Shpërndaje në: