VV: Qeveria nuk po përkrahë fermerët blegtoralë për Sëmundjen Gungore të Lëkurës
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me sëmundjen virale të gjedheve, Sëmundjen Gungore të Lëkurës (LSD).
Kjo Lëvizje ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të përgjegjësisë dhe përkrahjes për fermerët blegtoralë, të cilët po ballafaqohen me këtë sëmundje të gjedheve të tyre.
Deputeti i VV-së, Driton Çaushi, tregoi se tash e disa muaj kjo sëmundje është përhapur edhe në Republikën e Kosovës, ku për dallim nga shtetet e rajonit, nuk po bëhet kompensimi i dëmit e as vaksinimi për parandalimin e infeksionit.
“Siç keni dëgjuar besoj, kemi të bejmë me një sëmundje virale,e cila ka dëme të mëdha socio-ekonomike, sidomos duke marrë parasysh rrethanat në Kosovë ku shumica e fermerëve janë të vegjël, dhe humbjet që shkaktohen nga rënia e produktivitetit të kafshëve dhe ulja e shëndetit të tyre deri në vdekshmëri nga kjo sëmundje, natyrisht që i detyron shumë fermerë të braktisin këtë aktivitet, duke shkaktuar edhe falimentimin e shumë fermerëve”, ka thënë Çaushi.
Sipas Çaushit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është institucion i kapur, për të cilin institucion tha se ka lëshuar deklarata skandaloze në lidhje me konsumin e produkteve të gjedheve të sëmura, që është në kundërshtim me ligjet vendore dhe ndërkombëtare për konsumin. Si dhe për mungesën e vaksinave, që i detyron fermerët t’i sigurojnë ilegalisht ose të falimentojnë.
“Gjithashtu, problem tepër i rëndësishëm në mënyrën se si duhet trajtuar kjo sëmundje dhe kjo situatë emergjente është vaksinimi i kafshëve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në masën e duhur, Pra, kemi javë të tëra që premtohen vaksina. Përderisa gjitha shtetet përreth e kanë kryer dhe vazhdojnë ta kryejnë vaksinimin, një gjë e tillë në Republikën e Kosovës nuk po ndodh”, deklaroi deputeti Çaushi.
Në fund Çaushi shtoi se Lëvizja të cilën ai e përfaqëson, e ka problematizuar herët tregtinë ilegale të kafshëve që ndodh në komunat kufitare me Serbinë, duke përmendur se rasti i parë i këtij infeksioni ka ndodhur në komunën e Dardanës, ku tha se ndodh edhe tregtia më e madhe ilegale me gjedhe.



