‘Serbët e Kosovës të zhvendosen në Luginë, shqiptarët e Luginës në Kosovë’
Historiani serb, që dikur drejtonte partinë DOS (Opozita Demokratike e Serbisë), që ishte edhe kryebashkiak i Beogradit por edhe ambasador në SHBA, Milan St. Protiq, ka dalë me një ide për të zgjidhur konfliktin e Serbisë që ka me Kosovën.
Në mënyrë që të mos ketë shkëmbim territoresh, Protiq thotë se më mirë do të ishte të ketë shkëmbim popullatash: serbët e veriut të Kosovës të zhvendosen në Luginë të Preshevës, e shqiptarët e Luginës të vendosen në veri të Kosovës.
“Sot në Serbi të gjithë e këndojnë të njëjtën këngë se nuk duhet njohur Kosovën. Përveç atyre që flasin për mbajtje të konfliktit të ngrirë, por ato janë budallallëqe dhe ikje nga problemet me të cilat përballet Serbia. Unë mendoj se zgjidhja është shumë e qartë, nëse i marrim parasysh interesat nacionale. Më së miri do të ishte të shkëmbejmë banorët. Dhe nëse për këtë do të mund të merreshim vesh me shqiptarët, do të ishte ideale. Që serbët e Kosovës të dalin në Serbi, e shqiptarët e Luginës së Preshevës të shkojnë në Kosovë. Me kushtin që të garantohet eksterritorialiteti i objekteve tona fetare në Kosovë me të drejtën dhe detyrimin që t’i financojë Serbia. Duhet të ruajmë ato që janë për ne më të çmueshmet, e jo ta vëmë atë në shërbim të luftës për territor. Shumicës së politikanëve nuk u intereson as për kisha, as për vende të shenjta, e as për përkujtimore e lokalitete historike”, ka thënë Protiq në një intervistë për revistën serbe “Nedeljnik”, transmeton Koha.net.
Tutje, Protiq, duke e argumentuar idenë e tij, thotë se grekët dhe turqit kanë shkëmbyer 2.5 milionë njerëz, ndërsa këtu bëhet fjalë për rreth 150 mijë shqiptarë e serbë.
“Duhet që serbëve t’u mundësojmë të jetojnë si njerëz, e jo në tela me gjemba, që ata fëmijë të mësojnë në shkolla të mira, që kenë një të ardhme të ndritur. Grekët dhe turqit shkëmbyen 2/5 milionë njerëz, e këtu kemi të bëjmë me rreth 150 mijë serbë e shqiptarë. Propozimin tim do ta përkrahin të gjithë, përveç atyre që kanë interesa direkte nga krimi, atyre që marrin nga dy paga, atyre që kanë blerë banesa në Beograd, e jetojnë në Mitrovicë… Në fund të fundit, ne lëvizim nga Kosova tash e 300 vjet. E pse lëvizim? Për një jetë më të mirë pra. Përse familja e bashkëshortes sime erdhi në vitet e ’70-ta, në ato kohë të mrekullueshme të Titos, por ikën pavarësisht? Nuk janë shqiptarët ata që kanë penguar kthimin e serbëve në Kosovë, por një serb që deri dje, e ndoshta edhe sot, kishte një rrugë në Beograd dhe quhej prift Vlada Zeçeviq. A vuajmë nga amnezia ne?”, ka shtuar historiani dhe politikani serb, Protiq.
“Nuk mund të jem aq pretencioz dhe të them po, por do të ishte temë për bisedime serioze edhe me amerikanët edhe me evropianët. Nuk do të kishte ndryshime kufijsh për çka insistojnë Merkeli e Evropa. Po të jetoja në veri të Kosovës, me padurim do të prisja që familjen time ta dërgoja në Serbi. Do të më vinte keq për paraardhësit, për monumentet, por njeriu duhet të shikojë kah e ardhmja. Njerëzit tanë shkojnë në Australi, Kanada, Afrikë të Jugut dhe lënë gjithçka këtu nëse u vjen mundësia për jetë më të mirë. Jugu i Serbisë është shkret, e Serbia lindore është e zbrazët. Ka vend për të gjithë. Në Kosovë sot shkojnë vetëm kriminelët dhe të korruptuarit”, deklaron ish-kryebashkiaku i Beogradit, Milan St. Protiq.
Më poshtë, Koha.net ju sjell disa deklarata të tij për Kosovën në këtë intervistë:
* Kosova dhe Republika Serbe duhet të vihen në një linjë. Parimi i vetëvendosjes duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Nëse të drejtat e shqiptarëve bazohen në vullnetin e tyre për vetëvendosje, kush atëherë mund t’ua merr këtë të drejtë serbëve të RS-së?
* Ne në të njëjtën kohë mbrojmë Kosovën, edhe pse është e humbur, dhe e kremtojmë Titon i cili është drejtpërsëdrejti përgjegjës për atë që ka arritur Kosova sot. Tito ua dha krahinën, e cila evoluoi në elemente konstituuese me fuqi sovrane, Tito pengoi kthimin e serbëve në Kosovë, Tito e ka mbajtur të hapur kufirin me Shqipërinë, Tito ua dha të drejtën shqiptarëve që të vendosin për Serbinë, e Serbia s’mund të vendoste për ta… Dhe për një politikë të tillë qindra mijëra serbë u zhvendosën nga Kosova qysh nga vitet e ’60-a të shekullit të kaluar…
* A i kemi harruar të gjitha këto, a? Dhe sot Titon e feston gjysma e Serbisë dhe gjysma e politikanëve, ndërsa varri i tij në këtë shtet është i paprekshëm dhe atraksion turistik… A do ta themi njëherë të vërtetën se humbja e Kosovës është pasojë e titizmave? E kemi dashur Titon, dhe në të betohemi sot, dëshirojmë që të kthehemi në atë kohë… Në një hulumtim të ‘Nedeljnik’ del se shumica e njerëzve do të votonin për Titon po të ishte gjallë. Në rregull, s’kam asgjë kundër, por atëherë s’ka Kosovë. Më vjen keq. Kush mendon ndryshe, është ‘tabula-rasë’.
* Millosheviqi i dha gozhdën e fundit arkivolit të Kosovës së pavarur pasi që me mjete të armatosura u mundua të zgjidhte shpërbërjen e Jugosllavisë. Ndoshta në vitet e ’90-a është mundur të gjendet një zgjidhje kompromisi për Kosovën dhe që serbët të kishin ndikim në vendimmarrjen politike dhe në atë se si do të ndërtohej Kosova, njëjtë sikur që kanë mund të kenë në Kroaci. Millosheviqi zgjodhi që Jugosllavinë ta mbrojë me luftë, dhe ato mundësi u humbën, përfshirë edhe Kosovën.
* Sikur të mos kishte luftë, dhe sikur Millosheviqi më 1999 të mos nisej dhunshëm në Kosovë, gjërat do të ishin ndryshe. As nuk do të kishte bombardime, as kapitullim përmes marrëveshjes së Kumanovës, as argumente në bazë të të cilave fuqitë e mëdha vendosën të njohin pavarësinë e Kosovës. Serbia sot është peng i Kosovës. Përveç kësaj, as preambula në Kushtetutë nuk ka një formë detyruese. Ajo është thjeshtë një deklaratë pre normative e Kushtetutës.
* Por, çka do të përfitonte Serbia nëse Kosova do të mbetej në kushtetutën e saj? Asnjë qeveri e Serbisë nuk do të mund të formohej pa shqiptarët. Ndoshta s’do ta kishim kryeministër, por ministër të Punëve të Jashtme Hashim Thaçin apo Ramush Haradinajn. A është kjo në interesin tonë? Që përfaqësuesit shqiptarë në gjuhën e tyre të shajnë shtetin e Serbisë në parlamentin e saj? A është kjo zgjidhje?! Nëse po, ju lumtë, mirëpo unë mendoj se nuk është. Përveç kësaj, Kosova është pjesa më e izoluar, jo vetëm e Serbisë, por e Evropës. Mjerim, varfëri, krim, primitivizëm, sëmundje… e çka s’na ka ardhur nga Kosova? Për të rindërtuar aty, do të duheshin së paku 500 vjet.
* Nuk jam shumë optimist se Zoran Xhinxhiqi do të bënte diçka në lidhje me Kosovën. Ne qysh atëherë i kishim duart e lidhura si pasojë e Millosheviqit. Gabimi ynë kryesor ka qenë që popullit nuk i kemi treguar haptas dhe sinqerisht se në çfarë situate gjendemi dhe cila është trashëgimia e Millosheviqit, por që për arsye të paqarta morën përgjegjësinë për politikën e tij të dështuar. Nuk i thamë popullit se cilat janë shanset tona reale të bëjmë diçka pozitive në Kosovë, por vazhduam t’i japim atij pamje të rrejshme duke u thirrur në Rezolutën 1244, të cilën askush s’e ka lexuar deri në fund e të cilën e keqpërdorim dhe thirremi në të vetëm ku na konvenon.
* Ideja ime bazohej në faktin se për ekstradimin e Millosheviqit ne fitojmë një marrëveshje për Kosovën. Dhe mendova se është moralisht e arsyeshme pasi që ai ishte përgjegjës për Kosovën. Propozova madje që të shkonim tek Millosheviqi në burg dhe t’i themi hapur të shkonte në Hagë që të zgjidhim Kosovën…. Qëndrimi im nuk u pranua, tek Koshtunica assesi, ndërsa Xhinxhiqi ishte skeptik, ai nuk i kuptonte amerikanët, as substancën e as thellësinë e ndryshimit të ardhjes së republikanëve në qeveri. Pas disa muajsh erdhi 11 shtatori dhe gjithçka shkoi për dreq, sepse SHBA-ja u trondit në terrenin e vet.
* Nëse Kosova është zemra e Serbisë, atëherë çfarë është Maqedonia? Bisht? Çfarë e bën Maqedoninë vend më pak të shenjtë serb sesa Kosovën? A kemi derdhur më pak gjak për të? Atje sot ka shumë faltore serbe, e të cilat i përkasin kishave tjera. Hero e kemi Ratko Mladiqin. Paraardhësit tanë vdiqën në Maqedoni, ndërsa Kosovën më 1912 e morëm pa shkrepjen e asnjë plumbi.
* Dikujt në këtë vend i intereson që problemi i Kosovës të mos zgjidhet kurrë, të jetojmë në një mjedis të errët, në të cilin nuk e dimë as kush jemi, as çka jemi e as nga jemi. Këtu kisha merret me politikë. Këtu kisha propagandon hakmarrje, zgjerim territorial, merret me sovranitetin e shtetit dhe me marrëdhëniet ndërkombëtare. E ku ka kështu? Kisha krejtësisht ka harruar faljen, vuajtjet, dhimbjet, krejtësisht ka harruar fjalët e Krishtit…



