Shala shpërthen ndaj FFK-së dhe Federatës Kroate të Futbollit
Ai shpreh zhgënjimin e tij që asnjëra Federatë nuk e ftoi atë për të parë nga afër ndeshjen e cila zhvillohet nesër mbrëma ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018.
“Nuk e di nëse do ta përcjell këtë ndeshje. Ndoshta do ta shikoj vetëm rezultatin në livescore nëpërmjet telefonit. Çka t’u them njerëzve kur të më pyesin pse nuk jam në stadium? Si të përgjigjem! Fajin e kanë njerëzit e Fadil Vokrrit. Me njerëzit në FFK nuk kam raporte të mira, ajo dihet. Vokrri ishte futbollist, por është shoqëruar me njerëz që nuk kanë lidhje me futboll”, deklaroi Shala.
“Ata nuk punojnë mirë. Kanë bërë një skuadër që e zgjedhin vet dhe janë të kënaqur me vetveten. Kam frikë se kjo do t’i dërgojë në një drejtim të gabuar. Unë nuk kam dëshirë t’i përkasë asaj shoqërie. Ata nuk guxon as t’i kritikosh. Nëse thua diçka kundër tyre, menjëherë je i padëshiruar. Kosova do të jetë gjithmonë në zemrën time. Ajo është pjesë e imja, por ata njerëz në Federatë nuk janë në rregull”, shtoi ai.
Në fund, ai nuk kurseu as kritikat dhe zhgënjimin edhe ndaj Federatës kroate të Futbollit, duke shtuar se nuk priste ftesë nga FFK për të parë nga afër ndeshjen, mirëpo ka shpresuar të kundërtën për Federatën kroate të Futbollit.
“Shikoni, unë nuk kam pritur nga askush në Kosovë që të më bëjë ftesë për të parë ndeshjen, por kam shpresuar se për këtë do të kujtohet dikush nga Kroacia. Më dhemb që nuk është kujtuar askush për të më bërë ftesë. Ju e dini, unë kam vetëm pasaportën kroate, të Kosovës nuk e kam marrë kurrë. Jam i nderuar dhe i gëzuar që kam luajtur për Kroacinë dhe për skuadrën e Dinamo Zagrebit. Sinqerisht, kam pritur që dikush të më ftojë që të jem mysafir në Shkodër. Nuk do të mund t’i përgjigjesha ftesës, pasi nuk do të mund të shkoj. Kam punën që nuk mund ta lë, por do të më vinte mirë nëse do të më kishin ftuar”, përfundoi Shala.
Shala ka luajtur në të kaluarën për Kroacinë dhe Dinamon e Zagrebit. /Periskopi.com



