Shanghai ndalon skuterat
Policët e trafikut në Shanghai kanë premtuar se do të ndalojnë përdorimin e skuterave për shkak të shqetësimeve të sigurisë, pasi ndalimi i dy viteve më parë u injorua tërësisht.
Pamjet e filmuara nga transmetuesi shtetëror CCTV treguan momentet e arrestimit të një personi i cili po ngiste një skuter në një rrugë kryesore publike.
“Skuterat nuk i përkasin kategorive të mjeteve me ose pa motor. Ekzistojnë ligje në vend të cilat ndalojnë qarkullimin në rrugë të këtyre mjeteve, të cilat mund të përdoren vetëm në komunitete të mbyllura ose në vende që nuk janë të hapura për publikun.”
Shteti do të lëshojë paralajmërime verbale dhe gjoba që variojnë nga 3 deri në 8 dollarë për këdo që thyen ligjin, sipas lajmërimit të medias shtetërore.
Por, pavarësisht këtyre masave, shumë persona janë parë duke ngarë skuterat në rrugë publike të qytetit.
“Nuk jam dakort me këtë rregull. Mendoj se vlen vetëm për ngarjen në korsi për mjetet pa motor dhe nuk ndikon shumë mbi trafikun në rrugë, kështu që nuk është e nevojshme të ndalohet,” u shpreh një i ri kinez.
“Nuk shoh asnjë arsye për këtë ndalim të menjëhershëm. A mundet ky vend të hapet paksa?” u shpreh një tjetër e re kineze, e cila shtoi se për sa kohë skuterat prodhoheshin në bazë të standardeve të caktuara të sigurisë, atëherë duhej të bëhej i mundur rishikimi i këtij ligji.
Skuterat me një rrotë variojnë nga 75 dollarë deri në 300 dollarë mesatarisht. Në vitet e fundit, Kina ka parë një fluks të madh të personave të cilët blenë skutera, për shkak të komoditetit dhe përballueshmërisë që këto mjete ofrojnë.
Përveç Shanghai-t, edhe Pekini ka nisur të njëjtën fushatë për reduktimin e këtij rreziku potencial, sipas medias shtetërore. Qeveria e qytetit të Pekinit ka lajmëruar se personat të cilët do të shihen duke ngarë këto skutera në rrugë publike do të gjobiten me 2 dollarë.



