Shaqiri tregon se e kishte shqyrtuar seriozisht paraqitjen për Kosovën

Shaqiri tregon se e kishte shqyrtuar seriozisht paraqitjen për Kosovën

Xherdan Shaqiri e kishte pasur mundësinë që të luante për Kosovën shumë kohë më parë. Madje e kishte shqyrtuar seriozisht mundësinë për t’u paraqitur për Kosovën. Kishte pasur edhe shumë biseda për një gjë të tillë. Por ai mbeti te Zvicra dhe u kthye në njërin prej lojtarëve më të mirë.

Shaqiri me plot sukses u paraqit në ngjarje të mëdha, Botërorë e Evropianë. Me Zvicrën i shënoi 32 gola në 125 paraqitje.

Çështja e paraqitjes së tij te Kosova është hapur sërish, në një intervistë të publikuar të shtunën nga mediumi zviceran Neue Zurcher Zeitung (NZZ).

Ai është pyetur se çfarë do të bënte po të kthehej si 20-vjeçar, nëse do ta kishte rastin të luante për Kosovën?

“Nuk e di. Kur Kosova u pranua zyrtarisht nga FIFA, pak para ‘Euro 2016’, ka qenë çështje serioze. Kam pasur shumë biseda. Kjo është e kuptueshme sepse familja ime është nga atje, unë u linda në Kosovë dhe lidhja me atdheun tim është e fortë. Megjithatë, çdo gjë ndodhi shumë shpejt dhe ishte paksa e padrejtë, sepse ishte e qartë: Nëse do të luaja për Zvicrën sërish, nuk do të kisha të drejtë të ndërroja përfaqësuese”, ka deklaruar Shaqiri fillimisht.

Pyetja e gazetarit ishte e menjëhershme, nëse ky ishte një lloj shantazhi.

“Kështu u ndjeva edhe unë. Në fakt, ishte e pamundur për mua që të merrja vendim në atë kohë, sepse, natyrisht se doja të luaja në Kampionatin Evropian me Zvicrën. Dhe jam krenar dhe mirënjohës që kam qenë në gjendje të luajë për Përfaqësuesen e Zvicrës për kaq shumë vjet. Ka qenë gjithmonë privilegj”.

Njëri prej golave që do të mbahet mend gjatë është ai që Shaqiri e shënoi kundër Serbisë në kuadër të Grupit E në Kupën e Botës 2018. Granit Xhaka kishte shënuar me gjuajtje të fuqishme për 1:1 në minutën e 52-të, kurse Shaqiri në minutën e 90-të e kishte realizuar golin e fitores 2:1. Si festa e Xhakës, ashtu edhe e Shaqirit, ishte me shqiponjën dykrenore. Në festë ishte bashkuar edhe Stephan Lichtsteiner, tani trajner i Shaqirit te Baseli.

Shaqiri në intervistën shumë të gjatë ka thënë se ende nuk e ka folur këtë gjë me trajnerin e tij, por ka ndërmend të bëjë diçka të veçantë në lidhje me këtë, transmeton Koha.net, përcjell Periskopi.

“E kam menduar që ta printoj atë fotografi dhe ta vë diku në dhomat e zhveshjes. Skena e festës me shqiponjën dykrenore me të vërtetë e tregon karakterin e tij. Ai qëndroi para nesh dhe na mbrojti, dëshironte që ta lehtësonte presionin mbi Granit Xhakën dhe mua”, ka deklaruar Shaqiri.

34-vjeçari ka folur edhe për vendimin që Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, e morën për ta përfaqësuar Kosovën.

“Ai e ka menduar me kujdes dhe e ka marrë vendimin më të mirë për vete. Leoni është djalë i mirë. Kemi folur shumë te Baseli, e ka marrë këshillën time, ka punuar fort në Basel dhe tani po luan me vetëbesim te Hoffenheimi. Për këtë arsye ai është model për lojtarët e rinj këtu. Dhe ndonjëherë është më mirë të jesh lider në një ekip të vogël, se të jesh vetëm numri shtatë në një klub të madh”, theksoi Shaqiri.

Shaqiri është fitues i Championsit dy herë, me Bayernin dhe Liverpoolin. Është edhe fitues i Bundesligës gjermane me bavarezët dhe Premier Leagues angleze me Liverpoolin.

Ka luajtur edhe për Interin, Stoke Cityn, Lyonin e Chicago Firen në SHBA. Në këtë sezon i ka 15 gola e 13 asistime në 40 paraqitje në të gjitha garat./Periskopi

Shpërndaje në: