SHBA dënon me 27 vjet burg djalin e deputetit rus
Një deputet i Parlamentit rus është shprehur tej mas i zemëruar dhe i mllefosur pasi djali i tij është dënuar me 27 vjet burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për krime kibernetike në SHBA.
Roman Valeryevich Seleznev, 32 vjeçar, është burgosur në gusht për vjedhje të kredit kartelave nga një restorant në SHBA, duke bërë dëme jo më pak se 170 milionë dollarë.
Deputeti rus, Valery Seleznev ka thënë se dënimi “është bërë nga kanibalët” dhe se djali tij është “kidnapuar”.
Seleznev ka bërë miliona duke shituar të dhënat në tregun e zi, kanë treguar zyrtarët amerikanë.
“Është një dënim i bërë nga kanibalët, djali im u kidnapua”, ka thënë deputeti Seleznev për agjencinë e lajmeve RIA Novosti.
Seleznev, anëtarë i dhomës së ulët, njohur ndryshe si Duma, është një bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, raporton New York Times, njofton Klan Kosova.
“Djali im është torturuar. Vet të qenurit në burg në një vend të huaj është torturuese. Ai është i pafajshëm”, ka deklaruar Seleznev, duke shtuar se dënimi prej 27 vjetësh është dënim i përjetshëm për djalin e tij, pasi ai s’do të mundet kurrë të përballojë tërë ato vjet në burg.



