ShBA-ja pranon se e ka dyfishuar numrin e trupave në Siri, jepet një shpjegim

ShBA-ja pranon se e ka dyfishuar numrin e trupave në Siri, jepet një shpjegim

Pentagoni njoftoi se Shtetet e Bashkuara tani për tani kanë “përafërsisht dy mijë” trupa në Siri, më shumë se dyfishi i numrit të zbuluar të mëparshëm prej 900 pjesëtarësh, tha të enjten një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes.

“Ka faktorë diplomatikë dhe të sigurisë operacionale shpesh te dislokimet tona dhe te disa prej atyre numrave dhe [ky është] qartazi rasti” – tha sekretari për shtyp i Pentagonit, Gjeneral Major Patrick Ryder, i cili shtoi se të gjitha dy mijë trupat në Siri janë atje për të luftuar kundër ISIS-it, raporton televizioni CNN.

“Siç e kuptoj unë dhe siç më është shpjeguar, këto forca shtesë konsiderohen si forca të përkohshme me rotacion, të cilat dislokohen për t’i plotësuar kërkesat e misionit që ndryshojnë, ndërsa 900 të dislokuarit bazë janë në dislokime me afatgjata” – tha më tej zëdhënësi Ryder të enjten.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se një delegacion amerikan ndodhet në Siri të premten për takim me autoritetet e përkohshme qeverisëse të Sirisë. Kjo është vizita e parë amerikane e nivelit të lartë që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, i cili ka ikur në Siri.

Trupat amerikane janë të përqendruara në përpjekjet për t’iu kundërvënë ISIS-it, njëra nga çështjet kyçe me të cilat po ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar pas shembjes së regjimit të Assadit. Zyrtarë amerikanë në mënyrë të përsëritur kanë theksuar se ISIS-i nuk duhet të jetë në gjendje për ta shfrytëzuar tranzicionin në Siri për ta rindërtuar veten.

Kur u pyet nga televizioni CNN se pse Pentagoni nuk e kishte zbuluar më herët numrin e saktë të trupave amerikane në Siri, zëdhënësi Ryder mohoi se kishte ndonjë përpjekje për ta turbulluar numrin e vërtetë dhe tha se ai e mori vesh shifrën e saktë vetëm të enjten, para se të dilte në konferencën për gazetarë.

“Pjesë e shpjegimit është ndjeshmëria nga një këndvështrim diplomatik dhe i sigurisë së operacionit” – shtoi ai, duke refuzuar që të hynte më shumë në hollësi rreth faktorëve diplomatikë.

Shpërndaje në: