SHBA përshëndet marrëveshjen për Ligjin për të Huajt dhe thekson rëndësinë e dialogut Kosovë–Serbi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë mirëpritur njoftimin për zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap pozitiv drejt bashkëpunimit institucional dhe politik.
Në një deklaratë të dhënë për Telegrafin nga një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, SHBA vlerësoi angazhimin e palëve për këtë çështje.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin për arritjen e marrëveshjes për zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne vlerësojmë angazhimin e palëve për këtë çështje, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët”, thuhet në përgjigje.
Sipas kësaj deklarate dialogu dhe gatishmëria për kompromis janë elementë kyç për trajtimin e çështjeve të ndjeshme.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Dialogu i BE-së është një kanal i njohur për Prishtinën dhe Beogradin për të bërë përparim në procesin e normalizimit”.
Ndërsa në lidhje me atë se çfarë u diskutua nga takimi që u zhvillua në Uashington me të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ata thanë: “Si politikë, ne nuk komentojmë mbi bisedat private diplomatike”.



