Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor, anëtar i plotë në Komisionin Ndërkombëtar për Shpëtim Alpin

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor, anëtar i plotë në Komisionin Ndërkombëtar për Shpëtim Alpin

Të shtunën e këtij muaji, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), që funksionon nën ombrellën e Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive e Kosovës (FBNSK), është pranuar zyrtarisht si anëtar i plotë i kategorisë A në Komisionin Ndërkombëtar për Shpëtim Alpin (ICAR – International Commission for Alpine Rescue).

Kosova, përmes ShKShMK-së, u përfaqësua dhe u pranua zyrtarisht gjatë Kongresit të 76-të të ICAR-it, i cili u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Jackson Hole, Wyoming, nga data 7 deri më 12 tetor 2025. Nikoqir i këtij kongresi ndërkombëtar ishte “Teton County Search and Rescue”.

“Kjo arritje është rezultat i punës dhe përkushtimit shumëvjeçar të ShkShMK-së, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ngritjes së standardeve të sigurisë malore në Republikën e Kosovës. Kjo pasqyron veprimtarinë profesionale të shpëtueseve si dhe kontributin e kryesisë në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të strukturës organizative, si në nivel vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha ShKShMK.

ICAR është organizatë botërore që bashkon shtetet dhe ekipet më të avancuara të kërkim-shpëtimit malor. Që nga themelimi në vitin 1948, ICAR punon për të rritur sigurinë, trajnimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në operacionet malore./Periskopi/

Shpërndaje në: