“Shkel parimin e barazisë”: Kundërshtohet taksa prej 10 € për automjetet jashtë Prishtinës
Asamblisti i Guxo-s në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti konsideron se taksa e Kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Kryeqytetit, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë.
Në fjalën e tij ai pohoi se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, duke shtuar se “edhe qytetarët që jetojnë jashtë Kryeqytetit janë qytetarë të Republikës së Kosovës”.
“Taksa e Kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Kryeqytetit, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë. Edhe qytetarët që jetojnë jashtë Kryeqytetit janë qytetarë të Republikës së Kosovës, janë qytetarë që e kanë një Kryeqytet dhe janë të barabartë para ligjit”, deklaroi Mehmeti.
Ai citon nenin 14, paragrafi 2 të rregullores së propozuar para Kuvendit Komunal për të cilën deklaron se është ndër dispozitat më problematike.
“Neni 14, paragrafi 2, që thotë: “Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të Kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 (dhjetë) euro për hyrje”, është ndër dispozitat më problematike. Në rregulloren e propozuar para Kuvendit Komunal të Kryeqytetit”, thotë ai më tej.



