Shoqëri që adhuron krimin
Shkruan: Afrim Haliti
Kur mendon pak më gjatë të duket pothuajse surreale që në një vend ku skandalet e korrupsionit shpërfaqen si kërpudhat pas shiut, që në një shoqëri ku paratë publike veç publike nuk janë, çuditërisht krimi nuk i benë askujt përshtypje dhe as që përmendet. Nuk përmendet as në programet e partive politike, as në debatet gjatë fushatës zgjedhore e madje as në hulumtimet e opinionit publik. Pyeti kosovarët se për çka shqetësohen më shumë dhe e sheh që krimi del apo s’del fare në listë.
Kjo heshtje nuk është rastësi. Në kriminologji, kur për krimin si problem nuk flitet fare nuk do të thotë që shoqëria është e qetë dhe e pastër. Kur për krimin si problem nuk flitet fare, rëndom do të thotë diçka shumë më të rrezikshme. Do të thotë që e keqja është normalizuar aq shumë sa njerëzit fare nuk e perceptojnë më si kërcënim. Politika e shmang këte temë sepse i përshtatet dhe sepse votuesit nuk ia kërkojnë. Hulumtimet e opinionit publik në anën tjetër nuk e pasqyrojnë fare sepse popullata e ka pranuar në heshtje si të mirëqenë. E kur krimi pranohet si i tillë atëherë ndodhë një shkatërrim i sigurt moral.
Kjo është pikërisht gjendja se ku ndodhet sot Kosova. Kemi arritur në një pikë ku kriminaliteti e hajnia nuk na shqetësojnë aspak sepse janë bëre rutinë dhe ne e durojmë duke mendu që nuk mund ta permirësojmë për aq sa mundemi ta permirësojmë edhe motin e keq.
Krimin e shohim në politikë çdo ditë. Kemi ministra nën hetime e me aktakuza penale që dalin në fushatë me plot vetëbesim. Kemi ministra me skandale që paraqiten në publik si të mos ketë ndodhur asgjë. Madje na shpërfaqin edhe një lloj “patriotizmi” të paparë. Në Kosovë më nuk flitet për integritet. Sepse nuk është i rëndesishëm. Çuditërisht votuesit vazhdojnë t’i rizgjedhin këta njerëz në çdo palë zgjedhje.
Treguesi i dhimbshëm i degradimit na shfaqet edhe përmes argëtimit.
Veç kqyreni Big Brother VIP Kosova. Një konkurrent del në televizion të drejtpërdrejtë në ‘prime time’ dhe me qetësi tregon se si eshtë marrë me shitjen e drogës, se si është arrestuar tre herë dhe ka kaluar vite duke u fshehur nga policia britanike. Asnjë nuancë faji. Asnjë kërkimfalje për ata të rinjë që i ka marrë n’qafë duke i helmu me drogë. Dukej që kishte vetem një pendim. Mossuksesin në karrierën e tij kriminale. (Në kriminologji shpesh shtrohet një pyetje interesante rreth mënyrës se si përcaktohen vrasësit serik. Si mund që dikush të quhet vrasës serik nëse kapet pas vrasjes së parë dhe nuk ka mundësi ta përsërisë krimin? Kjo na çon te dilema thelbësore: a do ta vazhdonte ai ciklin kriminal po të mos ishte kapur? E në thelb, pyetja prek natyrën e vërtetë të motivimit dhe prirjes kriminale.)
Dhe çka ndodh pastaj në këtë shfaqje televizive? Duartrokitje. Admirim. Atmosferë e tipit “uaaa çfar përvoje e çfar guximi i jashtëzakonshëm”. Konkurrentët e tjerë e përqafojnë dhe e madhërojnë për guximin dhe sinqeritetin. Opinionistët tundin kokën sikur sapo tregoi një histori frymëzuese dhe e përgëzojnë për guximin. Moderatorët buzëqeshin dhe programi vazhdon….
E ti rrin e mendon: A është e vërtetë kjo që po e përjetoj? A përnjëmend kemi rënë kaq poshtë?
Nga perspektiva logjikonomike jo, por kriminologjike, kjo nuk është thjesht skenë televizive por diagnozë e shoqërisë.
Kur krimi bëhet argëtim, kur kriminelët shndërrohen në influencerë, kur e keqja kthehet në cilësi karakteri që meriton duartrokitje atëherë kufijtë moral të shoqërisë kanë shkuar për lesh.
Turpi, ajo forca e padukshme që disi i mbanë shoqëritë të “shëndetshme” është avulluar.
E kur zhduket turpi, çdo gjë tjetër shembet ngadalë.
Kriminaliteti rritet.
Llogaridhënia pushon se ekzistuari si koncept.
Institucionet shndërrohen në zadruga private.
Skena politike mbushet me oportunistë që e dinë se askush nuk i ndëshkon.
Publikut i mpihet ajo ndjesia natyrale e neverisë ndaj të keqes.
Dhe ngadalë, brez pas brezi, vija në mes të së drejtës dhe të së gabuarës zbehet deri sa të zhduket fare.
E Kosova po rrëshqet drejt asaj zone…
Një vend ku devijimi nuk dënohet, por adhurohet.
Një vend ku me pasë histori kriminale të shtyn përpara në karrierë.
Një vend ku hajnitë e qeverisë të duken normale.
Një vend ku korrupsioni nuk është skandal, por sjellje gjindshmërie.
Dhe kjo njerëzve normal u dhemb, sepse pasojat shihen kudo.
Kriminelët shihen si “të fortë”.
Zyrtarët e korruptuar justifikohen si “të zot sepse nuk po i lënë të tjerët të vjedhin duke ua ndale “taxhine””.
Njerëzit e ndershëm duken qesharakisht naivë.
Ndërsa ndershmëria duket disavantazh e jo vlerë.
Kjo është gjendja më e rrezikshme se ku mund të arrijë një shoqëri.
Sepse kur njerëzit më nuk e quajnë krimin krim, këta njerëz se marrin mundin as ta luftojnë atë. As politikisht. As kulturalisht. As emocionalisht. E pastaj kur rezistenca shuhet, kriminaliteti bëhet pjesë e identitetit kombëtar.
Prandaj edhe zgjedhjet në Kosovë prodhojnë të njëjtin rezultat e zhgënjim.
Nuk është vetëm e vërtete që partitë janë të korruptuara. E vërteta është që kultura është mpirë dhe nuk reagon më.
Askush nuk kërkon integritet.
Askush nuk kërkon llogari.
Askush nuk zemërohet kur plaçkitet pasuria publike.
Derisa ta kemi këtë nivel të emancipimit politiko/shoqëror, kutia e votimit nuk do t’i ndëshkon hajnat.
Do t’i shpërblejë.
Do u jep pushtet.
Do u jep legjitimitet.
Do u hapë rrugët e suksesit.
Secila shoqëri që e glamorizon krimin në televizion dhe e toleron në politikë nuk mund të marrë vendime të shëndetshme. Sepse thjesht nuk mundet. Prandaj përfundojmë me qeveri që vjedhin dhe keqpërdorin pa asnjë ndëshkim, cikël pas cikli.
Në fund, veç budalla nuk e sheh por problemi është i kthjellët si loti për ta kuptuar.
Kosova nuk po vuan nga problemi me krimin 𝘱𝘦𝘳 𝘴𝘦 por nga normalizimi i krimit.
Përfundimi është i keq por duhet thënë hapur:
Një shoqëri që glamorizon kriminelë do të qeveriset gjithmonë prej tyre.



