Show-bizi kosovar në sherre të mëdha: Nga Bentley i vjedhur i Morenës e deri te zhvatja e Loredanës

Show-bizi kosovar në sherre të mëdha: Nga Bentley i vjedhur i Morenës e deri te zhvatja e Loredanës

Kosova ia ka parë hairin muzikës pop dhe zhanreve tjera të ngjashme sepse ka nxjerrë disa këngëtare të famshme në tregun ndërkombëtar si Rita Ora, Dua Lipa dhe Era Istrefi.

Por, në Kosovë skandalet e këtyre këngëtarëve nuk kanë të sosur edhe pse shumë prej tyre promovojnë aktivitete bamirësie.

Së pari, është problemi i madh i ikjes nga tatimi për paratë që i marrin nëpër ahengje familjare e publike, dasma e koncerte, por edhe për fitimet që marrin në forma të tjera, shkruan Periskopi.

Së fundi, doli skandali i këngëtares dhe modeles Morena Taraku, e cila u mundua ta fuste në Kosovë një veturë që vlente 250 mijë euro. Periskopi raportoi se kjo veturë sipas Prokurorisë dilte e vjedhur në Gjermani dhe se nuk ishte e re siç pretendonte Taraku.

Muaj më parë, shoqëria kosovare u trondit nga një tjetër skandal i përmasave ndërkombëtare. Reperja Loredana Zefi, akuzohej se i kishte zhvatur nga një çift zviceran përmes mashtrimit plot 700 mijë franga.

Ajo ishte arrestuar dhe bastisur nga autoritetet zvicerane në Luzern të Zvicrës. Loredana përfaqësohej në Kosovë nga avokati i njohur Tomë Gashi.

Po ashtu, në shumë prej këngëve dhe spoteve të promovuara, showbizi kosovar ka demonstruar vlera tepër prapanike dhe problematike për sfera të ndryshme shoqërore. Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, disa prej tyre ishin përfshirë madje edhe në politikën vendore duke mbështetur parti të caktuara politike.

Por, a janë këto probleme të veçuara apo manifestime të problemeve të mëdha me show-bizin tonë, mbetet të shihet në ditët në vijim. /Periskopi

Shpërndaje në: