Shpalosen detaje ekskluzive nga beteja ku ra heroikisht Mujë Krasniqi
Bashkëluftëtari i Krasniqit dhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, në Info Magazine të Klan Kosova ka ndarë rrëfimin për këtë betejë, ku ai ka humbur bashkëluftëtarët.
“Qëllimi ynë ka qenë që t’i furnizojmë luftëtarët me armë. Pas një kohe ka qenë mungesë e armatimit dhe ka kërkuar që dikush prej luftetarëve të shkojë të gjejë armatimin”.
“Fillimisht prej Kosovës kemi shkuar në Cahon dhe jemi ndalur në dy baza. Në momentin kur kemi shkuar nuk ka pasur borë. Muja ka dëshiruar të kthehet në Kosovë edhe pse ka qenë i plagosur ende pa u shëruar mirë, është kthyer”.
Qeriqi ka treguar disa nga përjetimet e hidhura të kësaj date.
“ Dita e fundit kur jemi nisur ka qenë 13 dhjetori i vitit 1998 dhe nga ai moment kur kemi marrë rrugën për Kosovë, kemi arritur në orën 4 të mbrëmjes. Kemi pasur një copë bukë për ta ngrëqnë derisa në majë të Pashtrikut ka qenë e pamundshme të qëndrojmë gjatë”.
Ai ka thënë se ka qenë pikërisht Mujë Krasniqi ai që ka dalur para luftëtarëve dhe iu është drejtuar aty.
“Muja në momentin kur kemi arritur në vijën kufitare na ka thënë që tash e tutje duhet të jemi të kujdeshsëm sepse në çdo moment mund të bijmë në pre të armikut. Komandant përgjegjës ka qenë edhe Nuri Bexheti i cili edhe e ka bërë një video ku ka qenë Mujë dhe Rifat Mziu, Gani Elshani dhe të gjithë këta janë dëshmorë në zonën e Pashtrikut”.
“ Në mungesë të armatimit është dashur ta marrim rrugën për kosovë. Ka qenë një vullnet dhe moral shumë i lartë secili prej tyre kanë pritur të kthehen në Kosovë derisa secili prej tyre e ka ditur që do të kenë sfida gjatë rrugës”.



