Shpërfilli urdhrat nga Prishtina: Nga konferenca e Gjuriqit e deri te suspendimi i tij
Policia e Kosovës pa komandë në veri që nga pasditja e djeshme. Kështu kumtoi dje Drejtoria Rajonale e Veriut, pasi vendosën të mos i zbatojnë më urdhërat e Drejtorisë Qendrore. Madje kjo u bë hapur përmes një konference për media nga Nenad Gjuriq, drejtori që sot pasdite u suspendua nga Fehmi Hoti, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor. Xhelal Sveçla s’është që bëri ndonjë reagim ndërsa Kurti i tha disa fjalë nga Berlini…
‘’Policia e Kosovës në Rajonin e Veriut nuk mund ta zbatojë vendimin për riregjistrimin e targave të Serbisë në RKS, tha dje drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë për Rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq, tash i suspenduar.
Ai iu drejtua mediave të përzgjedhura para ndërtesës së komunës në Mitrovicën e Veriut, në prani të kryetarit të komunës nga Veriu dhe lidershipit policor të rajonit të Veriut.
Në anën tjetër, ai tha se në periudhën e kaluar i kanë bërë të ditur Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë dhe të gjithë zyrtarëve relevantë ndërkombëtarë politikë dhe të sigurisë në Kosovë, se policët e rajonit të Veriut nuk mund ta zbatojnë atë vendim.
“Ajo është politike dhe e drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb të cilit ne vetë i përkasim dhe ndajmë shqetësimet tona në lidhje me të gjitha veprimet e njëanshme”.
Me të dalë ky njoftim, Periskopi pati provuar të kontaktojë mbrëmë, por edhe sot Zyrën për informim të Policisë së Kosovës për të sqaruar situatën, por nuk kthyen asnjë përgjigje të vetme. Deri te vendimi për suspendim.
Inspektorati Policor kërkoi suspendimin
Në njoftimin e bërë nga Inspektoriati Policor thuhet se Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.
Policia e Kosovës suspendon Nenad Gjuriqin
U.d drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, Nenad Gjuriq për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
”Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.”, thuhet në njoftim.
Çka tha Albin Kurti nga veriu?
“Është një gjë kur dështon zbatimi i vendimit dhe është një gjë tjetër kur dikush bën thirrje që të mos zbatohet vendimi, përveq që tregon se nuk do ta zbatojë ai ose ajo vetë. Por, i përket organeve të sigurisë, jo vetëm MPB-së, Policisë që të merren me këtë thirrje e cila qartazi është në shpërputhje me rendin e ligjin në Kosovë”, tha Albin Kurti.
Ndërkohë, një reagim për këtë sabotim që erdhi dhe nga veriu, nuk e dëgjuam ende nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Deri me 21 nëntor do të jetë masa a qortimit. Nga 21 nëntori deri me 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj. Pas secilës datë me 21 prill s’do të ketë më targa të tjera në Republikën e Kosovës”, është njoftimi i Qeverisë./PERISKOPI/



