Shqipe Selimi zgjedh të hesht për protestën ndaj Gjykatës Speciale edhe pse bashkeshorti i saj është në paraburgim në Hagë
Janë bërë afro pesë vite që kur ka nisur gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Gjatë procesit gjyqësor, Gjykata Speciale u kritikua vazhdimisht për gjykim jo të drejtë. Specialja shkoi deri aty sa mori vendim që të pranoj si prova disa dokumente nga Serbia. Këto dokumente thuhet se janë siguruar nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Serbisë, Ministria e Brendshme dhe institucione të tjera shtetërore të këtij vendi. Krejt këtë proces veteranët e kanë vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe sot protestuan bashkë me mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, shkruan Periskopi.
I madh e i vogël mori pjesë në protestën e organizuar nga veteranët e UÇK. Të pranishëm ishin edhe familjarë të ish-krerëve që po mbahen në paraburgim në Hagë, por jo edhe deputetja e Vetëvendosjes dhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipja.
Ani pse bashkëshorti i saj po gjykohet në Hagë dhe që 5 vite gjendet në paraburgim, Shqipe Selimi ka zgjedhur heshtjen, njëjtë si partia ku bën pjesë, Vetëvendosje. Edhe si bashkëshorte edhe si deputete në Kuvendin e Kosovës, zonja Selimi nuk ka qenë aktive ta ngrisë zërin kundër padrejtësive në Hagë.
Shqipe Selimi as në profilin e saj në Facebook nuk u lodh të bëjë thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës masive sot.
Ajo së fundi ka shpërndarë një postim të shefit të saj, Albin Kurti i cili para dy dite priti disa mërgimtarë në Qeveri.

Organizatorët e protestës dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”. Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”. Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.
Ndërkaq pas protestës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se “kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”.



