Shqipëria në Lojërat Olimpike Dimërore, këta janë dy sportistët që do ta përfaqësojnë
Shqipëria në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë sot në Pyeongchang të Koresë së Jugut, do të përfaqësohet nga dy skitarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Itali.
Erjon Tola dhe Suela Mëhilli, janë skitarët që do të garojnë për “kuqezinjtë” në Lojërat Dimërore. Të dy do të garojnë në skijim alpin.
Përndryshe, kjo është hera e katërt, që Shqipëria paraqitet në Lojërat Olimpike Dimërore. Në tri pjesëmarrjet e kaluara, ishte shumë larg zonës së medaljeve. Po ashtu edhe kësaj radhe nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim pozitiv.
Debutimin e saj në Lojërat Olimpike Dimërore, Shqipëria e kishte bërë në vitin 2006, në Torino të Italisë. Erjon Tola ishte garuesi i parë, që garoi në pjesëmarrjen debutuese të Shqipërisë.
Ai nuk e kishte përfunduar garën në sllallom, kurse në sllallom të madh u rendit i 35-ti. Derisa në Super-G, ishte vetëm i 56-ti.
Madje vendi i 35-të në sllallomin e madh, llogaritet suksesi më i madh në karrierën e skitarit 31 vjeçar, i cili punon si instruktor skijimi në Itali. /Insporti.com



