Shqipëria vazhdon ‘peshkimin’ te Kosova, reagimi i FFK-së dhe njohësve të futbollit kosovar
Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon që të ‘peshkojë’ në Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan Insporti.com.
Pas Kastriot Dërmakut i cili në tetor u ftua te Kombëtarja ‘kuq e zi’ pas një eksperience disa ditore te Kosova, së fundmi te Shqipëria është ftuar edhe Ardian Ismajli i cili më parë ka qenë kapiten i Përfaqësueses së Kosovës U-21.
Shqipërisë i është bashkuar edhe futbollisti Loret Sadiku i cili ka qenë pjesë e Kosovës në kohën kur FFK-ja nuk ka qenë e pranuar në UEFA e FIFA.
Dëshira e Sadikut ishte që të luante për Kosovën, por përfaqësimi në tri Kombëtare, Suedinë, Shqipërinë dhe Kosovën ia pamundësoi një gjë të tillë.
Ademi: Ata janë djemë të mirë, ndoshta e kanë parë konkurrencën te Kosova
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i kontaktuar nga Insporti.com ka thënë se dëshira e lojtarëve ka qenë që ta përfaqësojnë Shqipërinë. “Sigurisht së është dëshira e lojtarëve dhe e shohin një perspektiv më të madhe te Shqipëria. Ismajli ka qenë kapiten i Kosovës U-21 dhe e kemi vlerësuar dhe respektuar. Ndoshta e kanë parë konkurrencën dhe është larguar. Neve na vjen shumë keq. Si për Ismajlin si për Dërmakun, na vjen keq që nuk janë në mesin tonë. Mund të them se ata janë djemë të mirë dhe ne u dëshirojmë shumë suksese”, ka deklaruar numri një i futbollit kosovar, Agim Ademi.
“Mendoj se Kosova është vendi i perspektivës për të gjithë që dëshirojnë. Ne e kemi një strategji që nuk përzihemi trajnerit se kush ftohet. Ne duam që vetëm që Kosova të kualifikohet”, shtoi Ademi.
Tovërlani: Udha e mbarë u qoftë
Trajneri më i trofeshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani e ka komentuar për Insporti.com trendin e largimit te kosovarëve te Shqipëria.
“Disa futbollistë po mendojnë që patjetër duhet të jenë në formacionin bazë. Kjo është dëshpëruese dhe jo korrekte. Atij që nuk i pëlqen që ta pres momentin për t’i dëshmuar cilësitë dhe dashurinë për Kosovën, udha e mbarë i qoftë. Aq shumë ka talente në Evropë nga Kosova që për dy-tri vite ka me qenë ndër vetëm që të ftohen te Kosova. Prej se ka ardhur trajneri zviceran, gjithçka ka shkuar mirë te Kosova”, ka thënë Afrim Tovërlani.
Statovci: Nëse është dëshira e tyre është në rregull, por nëse ka diçka tjetër, duhet të zbulohet
Insporti.com e ka kontaktuar edhe ish-futbollistin kosovar, Faruk Statovci i cili tashmë punon si trajner.
Ai ka thënë se kosovarët duhet që të luajnë për Kosovën. “Duhet ë punohet dhe të vërtetohet se pse po ndodhin gjëra të tilla, pse këta lojtarë po ikin. Nëse është dëshira e tyre është në rregull, por nëse ka diçka tjetër, duhet të zbulohet. Mendoj se duhet të punohet dhe të binden ata lojtarë që të mbeten te Kosova. Ai që ndjehet kosovar, duhet të luajë për Kosovën. Kosova një ditë do ta ketë një Përfaqësueses shumë të fortë”, ka thënë Faruk Statovci.
Prepolli: Duhet komunikim me futbollistë
Trajneri kosovar dhe ish-futbollisti i njohur, Arsim Prepolli vlerëson se Kosova mund të bëjë më shumë në këtë aspekt. “Me lojtarët të cilët janë potencial për reprezentacion, duhet që të komunikohet dhe t’u tregohen se cilat janë ambiciet tona e pastaj duhet të vendos vet secili futbollist se për cilën Kombëtare dëshiron të aktivizohet. Lojtarët duan që ta kenë një siguri se çka i pret në të ardhmen. Komunikimi duhet të jetë i domosdoshëm. Përndryshe nuk do i kisha fajësuar futbollistët nëse nuk i kontaktojnë sepse karriera është e shkurtër dhe nuk pret askush. Unë mendoj se duhet të jemi më syçelë. Duhet t’i ftojmë për Kosovën pastaj atyre u mbetet të vendosin”, vlerësoi Arsim Prepolli,



