Shqiptarët kishin paguar nga 10 mijë paund për të kaluar drejt Britanisë

Shqiptarët kishin paguar nga 10 mijë paund për të kaluar drejt Britanisë

Një gjykatë në Francë dënoi të premten (21 korrik 2017) me 2.5 vjet burg pilotin britanik dhe bashkëpunëtorin e tij, të cilët u kapën në flagrancë gjatë tentativës për të trafikuar me avion privat katër shtetas shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.

Sipas hetimeve, ata u kishin marrë nga 10.000 paund secilit për të kaluar kufirin.

I regjistruar si rasti i parë i trafikimit të klandestinëve përmes ajrit, David Green, 54 vjeç dhe Edward Buckley 46 vjeç, dyshohet të jenë pjesë e një grupi të zgjeruar trafikantësh anglezë

Të dy u arrestuan të hënën në një aeroport në Marck, pranë  qytet-portit të Calais teksa po bëheshin gati të niseshin me avionin Cessna dhe 4 shqiptarët në bord.

Green, një arkitekt profesional dhe Buckley, një marangoz, u gjetën fajtorë për “ndihmën e lëvizjes së emigrantëve të paligjshëm si pjesë e një bandë të organizuar”.

Dy britanikë gjithashtu u është ndaluar hyrja në Francë për të paktën 5 vjet, ndërsa avionic është konfiskuar.

Green është një pilot amator veteran, i cili e ktheu hobin e tij në një biznes fitimprurës, duke kërkuar “dhjetë mijë paund për çdo udhëtar”, bëri me dije zëdhënësi i  prokurorisë.

Çifti kishin organizuar të paktën pesë fluturime që nga muaji prill, ndërkohë që në aeroportin e përdorur ka pasur fluturime të tjera të regjistruara prej tyre.

Prokurorja Raphaelle Wach kishte kërkuar tre vjet e gjysmë burg për secilin të pandehur dhe gjobën prej 45,000 paund secili.

“Ata u tërhoqën nga fitime të mëdha”, tha zonja Wach.

“Është e papranueshme të kërkohen shuma të tilla të larta në mënyrë, duke përfituar nga mjerimi i njerëzve të tjerë”.

Nga ana tjetër, Emmanuelle Osmont, avokatja e Buckley, tha se klienti i saj dhe piloti nuk kishin  “shfrytëzuar mjerimin” sepse klientët e tyre ishin shqiptarë të klasës së mesme, të cilët kishin “para”.

Mes katër emigrantëve shqiptarë ishte dhe një nënë me fëmijën e saj, të cilët u dërguan në spital për kontroll dhe nga aty u zhdukën në drejtim të paditur. Policia vijon të jetë në kërkim të tyre.

Ndërkohë dy shqiptarët e tjerë, një burrë dhe një grua, vijojnë të jenë në paraburgim në Coquelles.

Hetimet për rastin vijojnë.

Shpërndaje në: