Shtëpia e Bardhë: Operacioni “Epic Rage” vijon pa ndërprerje! Irani gati për bisedime
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se udhëheqja e mundshme e re e Iranit ka shprehur gatishmëri për të negociuar me Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së liderit suprem Ali Khamenei, por theksoi se operacioni ushtarak amerikan do të vazhdojë pa ndërprerje.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për Associated Press, tha se presidenti Donald Trump është i gatshëm “në fund” të hyjë në negociata, por aktualisht operacionet ushtarake vijojnë normalisht. Ai nuk përmendi emra konkretë të udhëheqësve të rinj iranianë.
Më herët, Trump deklaroi se drejtuesit e rinj të Iranit po kërkojnë bisedime dhe se ai ka rënë dakord të komunikojë me ta. Në një intervistë për revistën The Atlantic, të cituar nga Reuters, presidenti amerikan u shpreh:
“Duam të flasim dhe kam rënë dakord të flas me ta. Duhej ta kishin bërë më herët. Duhej të kishin ofruar diçka shumë praktike dhe të lehtë për t’u realizuar. Pritën shumë.”
Në bisedën me gazetarin Michael Scherer nga rezidenca e tij në Florida, Trump nuk pranoi të zbulojë nëse kontaktet me palën iraniane do të zhvillohen sot apo nesër, duke u përgjigjur: “Nuk mund t’jua them këtë.”
Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, operacioni ushtarak me emrin “Epic Rage” vijon me intensitet, ndërsa paralelisht mbetet e hapur mundësia për një kanal diplomatik mes palëve.



