Shuhet ikona e këngës ‘Po t’përbejë pash’ Perëndinë’, pejanja Xhejlane Gutiqi
Në moshën 72 vjeçare, pas disa shqetësimeve shëndetësore, ka ndërruar jetë gjatë të enjtës, ikona pejane e këngës nga brezi i artë i këngëtarëve të RTP-së, Xhejlane Gutiqi.
E ndjera, në karrierën e zenitit të saj, shquhej për interpretimet live duke bërë që me zërin e vet, të shkelte të gjitha vendet e botës, kudo ku kishte shqiptarë.
Dekadën e fundit të jetës, e ndjera, Gutiqi, e kaloi pranë familjes së ngushtë në një shtëpi modeste në lagjen ‘Kapeshnica’ të Pejës, lagje e cila siç do thoshte disa herë në intervistat e kohës, e frymëzoi e i dha zemër të shtypte paragjykimet e kohës.
Në këtë segment, Gutiqi, disa herë shprehu mirënjohjen edhe për prindërit e saj që e mbështetën që në fëmijëri.
Ngritja e saj në karrierë, buçiti, në vitin 1970, me këngën autoriale ‘Po t’përbej pash’ Perëndinë’ e cila menjëherë u regjistrua me orkestrën profesionale të atehershme të Radio Prishtinës, me insistimin e Isak Muçollit, do thoshte Gutiqi në një intervistë të kohës.
Vitet e para të pasluftës, Gutiqi u ri-angazhua në SHKA ‘Përparimi’ i Pejës, që ishte riaktivizuar, meqë e njejta kishte kënduar edhe më SHKA ‘Përparimi’ të viteve 50-ta.
Familja e të ndjerës, të cilët edhe e konfirmuan vdekjen e saj, njoftojnë se ceremonia mortore e varrimit për Xhejlane Gutiqin, do zhvillohet ditën e Premtë, në ora 15:00 në varrezat e qytetit të saj të lindjes në Pejë.
Meqë e ndjera, në dokumentacionin personal kishte emër tjetër, (Gjemile), lajmi fillimisht ka krijuar huti në opinion, për çfarë është dashur, që ‘RADIO 1’, të merr konfirmim zyrtar nga familja e të ndjerës./Periskopi



