Si i barazon Beogradi sanksionet ndaj Rusisë me pavarësinë e Kosovës

Si i barazon Beogradi sanksionet ndaj Rusisë me pavarësinë e Kosovës

Nëse politika e jashtme e BE-së thotë se duhet njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë pse pesë shtete të saj s’e bëjnë këtë dhe pse nuk ka asnjë sanksion ndaj tyre, ka thënë Nikoliq duke u arsyetuar pse Serbia nuk do të vërë sanksione ndaj Rusisë, transmeton Koha.net.

Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq ka deklaruar se Rusia dhe Serbia sot kanë marrëdhënie politike të jashtëzakonshme, kanë vendosur bashkëpunim të përbashkët dhe paraqitje të përbashkëta në tema shumë të rëndësishme.

“Thjesht, Serbia me shekuj është mbështetur në ndihmën dhe përkrahjen, së pari të Rusisë cariste, pastaj të Rusisë sovjetike e tash të Federatës ruse”, ka thënë ai, njofton “Politika” e Beogradit.

“Ne ia kemi dalë ta sigurojmë përkrahjen ruse gjatë votimit në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s lidhur me pranimin e Kosovës e kështu të mos i mbeten Kosovës manastiret dhe objekte serbe të kultit”.

Duke folur pse Serbia nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, Nikoliq ka marrë shembullin e Kosovës duke theksuar se politika e jashtme e BE-së nuk është e harmonizuar.

“Shembulli i Kosovës është më drastiku dhe më i paqarti. Pra, nëse politika e jashtme e përbashkët thotë se të gjitha vendet (të BE-së) duhet ta njohin Kosovën, pavarësinë e Kosovës, atëherë pse pesë shtete të BE-së s’e kanë njohur pavarësinë e saj dhe pse nuk ka asnjë sanksion ndaj tyre”, ka thënë Nikoliq duke shtuar kategorikisht se Serbia kurrë nuk do të vërë sanksione ndaj Rusisë.

Shpërndaje në: