Si ndodhi shkarkimi i Panuccit? Zbulohet gjithçka

Si ndodhi shkarkimi i Panuccit? Zbulohet gjithçka

Humbja me Turqinë i shkaktoi kushtoi me humbje pune trajnerit Christian Panucci. Italiani është shkarkuar nga presidenti Duka dhe për ndeshjen e radhës me Andorrën, FSHF ka graduar zëvendëstrajnerin, Ervin Bulku dhe Sulejman Memën që të drejtojnë kuqezinjtë në transfertën e së hënës.

Pas 15 ndeshjesh në krye të Shqipërisë, Duka ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin italian. Në mëngjesin e ditës së djeshme, FSHF ka njoftuar edhe për largimin e italianit.

“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Kristian Panuçi. E falënderojmë trajnerin Panuçi për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës”, ka shkruar dje faqja zyrtare e FSHF-së gjatë paradites së djeshme.

Takimi i fundit

Përfundimi i ndeshjes me Turqinë ka qenë edhe fundi i aventurës së trajnerit 45-vjeçar. Panorama Sport ka mësuar edhe prapaskenat e largimit të trajnerit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një takim në orët e para të mëngjesit të së shtunës, mes trajnerit të Kombëtares dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka shkuar në rezidencën e përfaqësueses në Durrës rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku edhe i ka komunikuar trajnerit vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit. Mësohet se Duka i ka ofruar edhe një pakt italianit për të qëndruar në krye të Shqipërisë edhe për takimin e të hënës ndaj Andorrës, i cili të ishte i fundit në krye të Kombëtares dhe më tej të kishte një dorëheqje të Panuccit.

Refuzimi

Ashtu siç edhe deklaroi në konferencën zyrtare në “Loro Boriçi”, pas ndeshjes me Turqinë, edhe në takim me Dukën, Panucci ka refuzuar të japë dorëheqjen. Në çdo moment, italiani e ka shmangur mundësinë e tërheqjes nga drejtimi i kombëtares, duke mos i lënë mundësi tjetër Armand Dukës, veçse shkarkimit të tij. Edhe pse në tetor 2018 italiani shprehej në një nga konferencat për shtyp, se do të ishte i gatshëm të largohej menjëherë nga Shqipëria në rast se presidenti Duka do t’i kërkonte që të largohej.

Shpërndaje në: