Si shkoi viti 2017 për përfaqësueset e Kosovës

Si shkoi viti 2017 për përfaqësueset e Kosovës

Një seri negative që kishte nisur në tetor të vitit 2016 vazhdoi thuajse gjatë tërë vitit 2017. Pasi në vjeshtën e vitit 2016 kishte humbur ndeshjet nga Kroacia, Ukraina e Turqia, në vitin 2017, përfaqësuesja e Kosovës në futboll pësoi humbje të reja nga Islanda, Turqia, Finlanda, Ukraina, e në fund sërish nga Islanda.

Serisë së humbjeve të saj i erdhi fundi me mbylljen e eliminatorëve për botërorin e futbollit “Russia 2018”. Në ndeshjen e parë pas eliminatorëve, atë miqësore ndaj Letonisë, Kosova shënoi fitore. Në ndeshjen dramatike që u zhvillua me 13 nëntor Kosova fitoi me rezultat 4:3 më gol të shënuar në minutat shtesë.

Krahas përfaqësueses së futbollit aktivitet zhvilluan edhe përfaqësueset e tjera dhe në basketboll e hendboll u vlerësua se patën rezultate më të mira. Patën fitore, kaluan raunde garash, por aktivitetet e tyre nuk e kishin bujën e atyre të futbollit.

Përfaqësuesja e futbollit në vitin 2017 e mbylli cikin e saj të parë. Mbeti me pikën e fituar në ndeshjen e parë, ndaj Finlandës me 5 shtator të vitit 2016.

“Kosova ka arritur të krijojë përfaqësuese të respektuar për një kohë të shkurtër, dhe madje me lojë të befasojë edhe top-përfaqësuese të botës. Në këtë aspekt duhet të jemi shumë të kënaqur që sot Kosova ka përfaqësuesen më të re në botë për nga mosha dhe ka një bazë të shëndoshë për evropianin e ardhshëm, që ishte qëllimi ynë”, tha Albert Bunjaku.

Kosova për herë të parë në vitin 2017 është përfaqësuar edhe me përfaqësuese të grupmoshave të reja. Suksese ka pasur U-19, që kaloi një raund, ndërsa disa rezultate të mira regjistroi edhe U-21.

Përfaqësuesja e femrave ka humbur tri ndeshjet e para kualifikuese.

Hapa të mëdhenj para kanë shënuar përfaqësueset në hendboll, sidomos ajo e femrave. Përfaqësuesja e hendbollistëve në fillim të vitit luajti dy ndeshje me Estoninë në parakualifikime për evropianin, por pësoi humbje. Nuk ia doli në tentimin e parë të siguroj fazën e dytë të kualifikimeve, por në të arriti përmes një rruge tjeter. Në kampionatin e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim, Kosova u rendit e treta dhe kështu kaloi në raundin e dytë kualifikues për evropianin e vitit 2020.

Përfaqësuesja e femrave në hendboll pas përforcimit me lojtarë që bëjnë karrierë në Evropë, mposhti Gjeorgjinë dhe Izraelin gjatë qershorit dhe për herë të parë në histori kaloi me sukses në fazën e parë kualifikues për evropian. Në fazën e dytë u përball me forca reale të hendbollit evropian. Pësoi thellë nga Hungaria e Holanda. Me ndeshje të këtij niveli do të vazhdojë edhe vitin tjetër. Hendbolli ka vazhduar garimin edhe me përfaqësuese të grupmoshave, me sukses të kohëpaskohshme.

Pos hendbollistëve hapin e madh para e kanë bërë edhe basketbollistët. Pasi në vitin 2016 përfaqësuesja e Kosovës në basketboll humbi të gjitha ndeshjet kualifikuese për “Eurobasket”, FBK-ja vendosi për ndryshime në përfaqësuese. Përzgjedhës u emërua amerikan Brad Greenberg, ndërsa Lis Shoshi, Erjon Kastrati e Gëzim Morina u bashkuan me përfaqësuese. Dhe freskimi solli fryt. Kosova mposhti Maqedoninë dhe e Estoninë për të kaluar si e dyta e Grupit C nga parakualifikimet në fazën e parë të kualifikimeve për botërorin e vitit 2019. Jashtë kualifikimeve e la Maqedoninë.

Tashmë Kosova i ka luajtur edhe dy ndeshjet e para kualifikuese për botëror. Ka pësuar humbje të thellë nga Lituania në shtëpi dhe me tetë pikë dallim nga Hungaria në udhëtim. Humbja në Debrecen ka dhënë shpresë që Kosova mund të lerë  pas Hungarinë dhe kështu të kalojë në raundin tjetër, për të vazhduar rrugëtimin historik.

Se volejbolli ka mbetur prapa tri sporteve të tjera kolektive, dëshmojnë edhe rezultatet e përfaqësueseve. Volejbollistët kanë pësuar pesë humbje në kualifikimet për botëror, ndërsa e kanë fituar vetëm një set. Volejbollistet kanë humbur po ashtu në të gjitha ndeshje. Nuk kanë fituar asnjë set. /Periskopi/

Shpërndaje në: