Sidney, autorët babë e bir – Sulmi planifikohej prej dy javësh

Sidney, autorët babë e bir – Sulmi planifikohej prej dy javësh

Babë e bir ishin autorët e masakrës në Australi, që la 15 të vrarë në një event për festën hebraike Hanukkah.

Policia e shpalli ngjarjen një sulm terrorist ndërsa babai, 50-vjeçari Sajid Akram mbeti i vrarë, ndërsa i biri 24-vjeçar Naveed u plagos dhe është në gjendje kritike në spital.

Të paktën 40 persona mbetën të plagosur, përfshirë dy oficerë policie që janë në gjendje të rëndë. Mes viktimave ishte një vajzë 10-vjeçare, një rabin dhe një i mbijetuar i holokaustit.

Një nga autorët ishte një emër i njohur për policinë, por nuk ishte kërcënuar kërcënim i menjëhershëm. Ndërkohë babai kishte pasur një leje për armë zjarri që nga viti 2015 dhe kishte gjashtë armë të regjistruara.

Ministri i Brendshëm Australian tha se 50-vjeçari kishte mbërritur në Australi në vitin 1998 me një vizë studentore, ndërsa djali i tij është shtetas i lindur në Australi.

Dy autorët me origjinë nga Pakistani e kishin planifikuar sulmin për javë të tëra. Dyshohet se ata kishin marrë me qira një apartament pranë vendit të ngjarjes ku po thurnin planin për dy javë. Në banesë policia gjeti pajisje shpërthyese të improvizuara. Sipas mediave australiane policët gjetën edhe flamuj të Shtetit Islamit në makinën e autorëve.

Ata madje kishin udhëtuar drejt Filipineve një vend që nga autoritetet e sigurisë konsiderohet vatër për ekstremizmin. Por pak para ngjarjes 24 vjeçari kishte telefonuar nënën e tij, duke I folur për aktivitete të zakonshme në plazh dhe jo masakrën që kishin planifikuar.

Ngjarja ndodhi në plazhin e Bondi në Sidnei të Australisë. Zona tashmë është kthyer në një vend zie dhe njerëzit kanë lënë lule e kanë mbajtur homazhe.

Kjo ishte masakra më e rëndë në Australi që nga viti 1996 kur mbetën të vrarë 35 persona. Ajo ngjarje çoi në disa nga rregullat e armëve më të rrepta në botë.

Tragjedia më e fundit gjithashtu ka ngritur debat në lidhje me këto ligje dhe kryeministri Anthony Albanese tha se ky do të jetë një diskutim i menjëhershëm.

“Qeveria është e përgatitur të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm, duke përfshirë, nëse është e nevojshme, ligje më të ashpra për armët”, tha Albanese.

Shpërndaje në: