Sindikalistët e QKUK-së kërkojnë urgjentisht pagesat e kujdestarive

Sindikalistët e QKUK-së kërkojnë urgjentisht pagesat e kujdestarive

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme dhe neglizhencë institucionale mos pagesën e kujdestarive.

Në një reagim, kjo sindikatë është shprehur se mosdalja e pagesave për kujdestaritë gjatë muajit shkurt ka ngritur shqetësime serioze dhe të arsyeshme tek punonjësit shëndetësorë.

Duke qenë se buxheti i shtetit është miratuar tashmë prej dy muajsh, sipas sindikatës, është e pakuptueshme që kjo vonesë të arsyetohet me mungesë fondesh.

Përkundrazi, vijon reagimi, kjo situatë tregon qartë për probleme në ekzekutimin e buxhetit dhe mungesë të theksuar të koordinimit institucional.

“Kujdestarit janë obligim i rregullt dhe i planifikuar në sistemin shëndetësor, jo shpenzim i paparashikuar. Mosrealizimi i pagesave në kohë dëshmon për një neglizhencë të qartë institucionale—në përpunimin e listave, në aprovimet administrative apo në transferin e mjeteve financiare. Ky dështim nuk mund të arsyetohet ndryshe përveçse me mungesë efikasiteti dhe përgjegjësie nga strukturat përkatëse.”, thuhet në reagim.

Sindikatat kanë kërkuar urgjentisht identifikimin e saktë të shkakut të kësaj vonese dhe ndërmarrjen e masave konkrete për eliminimin e saj.

“I nderuar Albin Kurti, si Sindikatë e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme dhe llogaridhënie të plotë nga institucionet përgjegjëse. Miratimi i buxhetit nuk ka vlerë nëse ai nuk zbatohet në praktikë dhe në kohë për ata që mbajnë në këmbë sistemin shëndetësor.”, thuhet tutje në reagim.

Shpërndaje në: