Sindikata e pavarur e RTK: Do t’i drejtohemi Gjykatën Kushtetuese për shkurtimin arbitrar të buxhetit të transmetuesit publik

Sindikata e pavarur e RTK: Do t’i drejtohemi Gjykatën Kushtetuese për shkurtimin arbitrar të buxhetit të transmetuesit publik

Sindikatat e Pavarur e RTK ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për siç thotë “shkurtimin arbitrar të buxhetit të RTK-së”, shkruan Periskopi.

“Mosgatishmëria e të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së, për të gjetur ndër vite një model të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit, e ka lënë Radiotelevizionin e Kosovës edhe 26 vite pas themelimit, pa pronë dhe pa objekt funksional, në kushte pune tejet të papërshtatshme e pa paga të dinjitetshme”, thuhet mes tjerash në reagim.

 

Reagimi i plotë i Sindikatës:

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë lidhur me gjendjen e rënduar financiare të Radiotelevizionit të Kosovës. Mosalokimi i mjeteve për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 nga institucionet pergjegjëse dhe shkurtimet arbitrare të buxhetit në kundërshtim me ligjin për RTK-në, po rrezikojnë seriozisht funksionimin e RTK-së dhe mirëqenien e të punësuarve të saj.

Ligji për RTK-në e përcakton qartë financimin e RTK-së në nivelin 0.7% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit (përjashtuar të hyrat e njëherëshme), por RTK-së edhe për vitin 2025, i janë ndarë vetëm rreth 8.9 milionë euro, që është dukshëm nën minimumin e nevojshëm për funksionim të qëndrueshëm dhe te pavarur. Për më tepër, edhe këto mjete të pamjaftueshme nuk janë ndarë ende sipas planifikimit vjetor (dy herë në vit), duke rënduar kështu edhe me shumë funksionimin e transmetuesit publik.

Përkundër insistimeve të Sindikatës, se çështja e shkurtimit arbitrar të buxhetit të RTK-së duhet të adresohet në Gjykatën Kushtetuese, bordi dhe menaxhmenti i kaluar si dhe disa prej tyre që vazhdojnë të jenë pjesë edhe e menaxhmentit aktual, nuk shfaqën gatishmëri dhe guxim për të kërkuar në instancën më të lartë, rikthimin e buxhetit siç është e përcaktuar me ligjin për RTK-në, duke dëshmuar kështu edhe njëherë mungesë të përgjegjësisë menaxheriale, e servilitet ndaj politikës.

Sindikata e Pavarur e RTK-së së shpejti do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkurtimin arbitrar të buxhetit të transmetuesit publik, dhe do të angazhohet fuqishëm që në planifikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, RTK-së ti kthehet buxheti i garantuar sipas ligjit për RTK-në.

Mosgatishmëria e të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës si themelues i RTK-së, për të gjetur ndër vite një model të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit, e ka lënë Radiotelevizionin e Kosovës edhe 26 vite pas themelimit, pa pronë dhe pa objekt funksional, në kushte pune tejet të papërshtatshme e pa paga të dinjitetshme.

Krahasuar me televizionet publike në rajon, RTK ka buxhetin më të ulët dhe numrin më të vogël të punëtorëve si dhe mbetet transmetuesi i vetëm publik pa pronë dhe pa financim të pavarur e të qëndrueshëm.

Për ilustrim, keto janë disa nga buxhetet vjetore të televizioneve publike në rajon:

  • RTSH (Shqipëri): rreth 27 milionë €
  • MRT (Maqedonia e Veriut): rreth 20 milionë €
  • RTCG (Mali i Zi): rreth 17 milionë €
  • HRT (Kroaci): rreth 180 milionë €
  • RTVSLO (Slloveni): rreth 130 milionë €
  • RTS (Serbi): rreth 105 milionë €,  etj.

Për një periudhë të gjatë kohore, të punësuarit në RTK nuk kanë gëzuar rritje pagash siç ka ndodhur në shumicën e institucioneve tjera publike dhe përkundër inflacionit, madje as këtë vit (2025), kur të gjithë të punësuarit në institucione shtetërore e publike në vend kanë përfituar rritje page prej 110 euro.

Sindikata e Pavaruar e RTK-së ju bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, që të bëjnë alokimin e menjëhershëm të mjeteve nga buxheti i votuar në Kuvendin e Kosovës dhe të reflektojnë karshi gjendjes së përgjithshme financiare në Radiotelevizionin e Kosovës.

Sindikata e Pavarur e RTK-së zotohet se do të përdorë të gjitha veprimet sindikale në dispozicion dhe rrugët ligjore të garantuara me kushtetutë, që e drejta themelore e të punësuarit, ajo e pagës karshi punës së kryer të gëzohet në tërësi.

Me respekt:

Kryesia e Sindikatës së Pavarur të RTK-së

Shpërndaje në: