Skandal në QKUK: Pacientët blejnë çarçafë e jastëk me para të tyre, pasi mungojnë në klinikë (VIDEO)
Nëse niseni në spitalet e QKUK-së, përveç dokumenteve mos harroni t’i merrni edhe çarçafët dhe jastëkët me vete, pasi klinikat nuk i kanë, shkruan Periskopi.
Lexues të Periskopit kanë dërguar pamje nga Klinika e Kardiologjisë, saktësisht nga reparti i Kardiologjisë Invazive, në të cilin mungojnë gjërat më elementare për pacientët.
Kështu, faktet që kanë dërguar lexues të Periskopit tregojnë se situata në terren nuk është ashtu siç e paraqesin kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Një lexues i Periskopit ka dërguar pamje nga ky repart, duke treguar se është detyruar t’i blejë nga xhepi i tij çarçafët dhe jastëkun.
Dhe jo vetëm kaq.
Periskopi posedon edhe faturën, që dëshmon se pacientët po paguajnë vetë për gjëra që spitali duhet t’i sigurojë.
Në lidhje me këtë situatë, ne kemi kontaktuar drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë, Faik Shatri, i cili ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me email.
Pyetjet janë dërguar edhe në QKUK, por që nga dita e djeshme nuk ka asnjë përgjigje.
Kemi kontaktuar edhe Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, por edhe ata kanë zgjedhur heshtjen.
Më poshtë gjeni videon me detaje:



