Skandali me lirimin e tre personave që u kapen me 1 milion euro, rasti kthehet në rivendosje
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka kthyer në rishqyrtim vendimin lidhur me masën e sigurisë ndaj tre të dyshuarve që u kapën me rreth 1 milion euro.
Njoftimi:
Anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L dhe çështja kthehet në rivendosje
Prishtinë, 6 mars 2026 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe sipas detyrës zyrtare, aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPPS.nr.10/2026, i datës 27.02.2026, e ka anuluar dhe çështjen penale e ka kthyer në rivendosje.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PPPS.nr.10/2026, i datës 27.02.2026, ndaj të pandehurve: E.A., A.K. dhe A.L., për shkak të veprës penale Shpërlarja e parave nga neni 302, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 par.1 pika 1.1 të ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit e Financimit të Terrorizmit, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtit i ka liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri nga data 27.02.2026.
Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar. Po ashtu, arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor.
Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën e të cilave ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parave dhe nuk ka bazë për caktimin e masës së paraburgimit kundër tyre, për shkak se nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen, andaj Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e ankimuar sepse i njëjti nuk mund të qëndrojë juridikisht si i tillë.



