Skuadra e Panuccit shumë më e shtrenjtë se ajo e De Biasit (Foto)
Përpara nisjes për në Francë, gazeta italiane Gazzetta dello Sport kishte bërë një analizë për Shqipërinë dhe në atë kohë skuadra e drejtuar nga Gianni de Biasi vlente 44.2 milionë euro në total.
Ndoshta kjo është skuadra më e shtrenjtë e të gjithë historisë së Kuqezinjve, por nëse lojtarët vazhdojnë të shkëlqejnë, sigurisht që do të rrisin vlerat e tyre në treg, shkruan Panorama Sport.
Tre portierët e Kombëtares shqiptare kanë rritje në vlerën e tyre në treg. Etrit Berisha, Tomas Strakosha dhe Alban Hoxha kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të kuqezinjve. I pari vjen pas një sezoni të shkëlqyer me skuadrën e Atalantas duke qenë vendimtar në kualifikimin për në Ligën e Evropës.
Strakosha ndërkohë blindoi vendin e titullarit te Lazio duke nxjerrë jashtë loje Federico Marchettin, por edhe Alban Hoxha ka bindur me performancat e tij.
Nuk mund të mungonte në këtë listë mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili vazhdon të rrisë vlerën e tij nga 14 milionë euro në 18 milionë euro.
Rritje të çmimit ka edhe në fazën e sulmit. Lojtarët si Latifi, Llullaku, Roshi, Cikalleshi e Sadiku, duket se kanë rënë në syrin e specialistëve.
Lojtarët që kanë luajtur pak, por edhe ata që kanë pasur probleme kanë pësuar rënie të vlerës së kartonit të tyre.
Diçka e tillë ka ndodhur kryesisht me lojtarët e mbrojtjes si Ajeti, Gjimshiti, Aliji, por edhe mesfushorët Kaçe, Basha, Lila dhe Memushaj.
Pavarësisht këtij fakti, rënia e vlerës së kartonit të tyre nuk ka ndikuar për të prishur trendin në rritje të të gjithë Kombëtares Shqiptare.





