Skuadra më e urryer në Gjermani

Skuadra më e urryer në Gjermani

Rreth njëqind prej tyre janë ulur para hyrjes së stadiumit ku duhej të kalonte autobusi i skuadrës kundërshtare, duke ndaluar futjen e lojtarëve të Leipzig. As ndërhyrja e policisë nuk e ka zgjidhur problemin. Për këtë arsye, autobusi i Red Bull Leipzig ka qenë i detyruar të bëjë xhiro rreth stadiumit dhe të futet nga një hyrje dytësore.

Kjo ka qenë protesta e radhës kundër klubit të Dietrich Mateschitz, bashkëthemeluesi i pijes energjike Red Bull dhe pronari i ekipit gjerman.

Kanë qenë rreth njëqind tifozë, të ulur, dhe nuk dëgjonin të lëviznin. Në duar mbanin kartonë me mbishkrime “paratë vrasin”, “Ik q.. Leipzig”, dhe fyerje të tjera që i drejtoheshin klubit rival. Red Bull në Gjermani shikohet nga tifozët kundërshtarë si shembulli i futbollit modern, ku paratë kanë më shumë rëndësi se historia, tradita dhe ndjenjat.

Vonesa nuk i ka lejuar lojtarët e Leipzig që të zhvillonin nxehjen, duke e detyruar arbitrin ta shtyjë fillimin e takimit me 15 minuta. Edhe brenda stadiumit janë shfaqur mesazhe të ndryshme kundër RB. “Ditën e tetë Zoti krijoji Koln-in. Juve ju kanë krijuar në fabrikë”.

Drejtuesit e klubit të Koln janë distancuar nga kjo protestë, që është konsideruar nga ata: “Një nismë idiote. E vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i kërkojmë falje Leipzig për atë që ka ndodhur”.

Leipzig tashmë është mësuar me qëndrime të tilla nga tifozët e ekipeve të tjera. Në dy sezonet e fundit, kur klubet e tyre prisnin RB-në, tifozët vendas kanë braktisur stadiumin në shenjë proteste.

Në këtë sezon, në Kupën e Gjermanisë, tifozët e Dresda-s kanë hedhur në fushë një kokë të prerë demi. Një tregues i qartë urrejtjeje kundrejt Red Bull.

Një grup ultras i Dortmund-it ka braktisur transfertën në Leipzig, ata të Hamburg-ut javën e kaluar kanë organizuar një “sit-in” nga stacioni i trenit deri te stadiumi.

Vetëm tifozët e Hoffenheim i kanë dhënë mbështetjen e tyre tifozëve të Leipzig.

Në javën e parë të kampionatit, me rastin e përballjes direkte, janë shfaqur disa mesazhe ironike. “Futbollin mund ta prishë vetëm një klub: ne”. Ose: “Vetëm Sandhausen na urren si në të kaluarën”.

Dhe akoma: “Duam të kthehemi të jemi klubi më i urryer në Gjermani”.

Edhe kundër Hoffenheim, në fakt, janë bërë (edhe pse në një mënyrë më të pranueshme) akuzat që sot i drejtohen Leipzig. Për këtë arsye, protesta e tifozëve të Koln, që ka vonuar fillimin e ndeshjes, ka qenë e papritur, por nuk mund të quhet një surprizë, duke parë se bëhet gjithmonë fjalë për Leipzig…/telesport.al

 

Shpërndaje në: