“Slloba i vogël” që po e pengon Kosovën, që lindi në Prizren e që e dërgoi në burg Mlladiqin: Kush është Daqiqi?

“Slloba i vogël” që po e pengon Kosovën, që lindi në Prizren e që e dërgoi në burg Mlladiqin: Kush është Daqiqi?

Serbia është kreative në politikë aq sa ishte kreativ në shkencë Nikolla Teslla – tha Donald Tusk në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Aty u fol edhe për Kosovën, të cilën Serbia me Vuçiqin e Daqiqin në krye e ka penguar më së shumti në dhjetë vitet e fundit.

Por, kush është Ivica Daçiqi – njeriu që në fillet e tij në politikë ishte quajtur nga opinioni serb si ‘Slloba i vogël”?

Ai ka lindur në ditën e parë të vitit 1966 në Prizren. Familja e tij ishte e varfër, me babain polic dhe nënën amvise. Prindërit e tij kishin lindur në fshatrat në Jastrebac. Kur ishte vetëm gjashtë muajsh familja e tij shkoi në Zhitoradë.

Që si pesë vjeçar për Ivican ishte përgatitur një artikull ku flitej për aftësitë e tij për të lexuar e shkruar vetë, për njohuritë e tij në lidhje me malet, lumenjtë dhe kryqytetet, për futbollistët, klubet dhe rezultatet. Në fëmijëri ai thirrej nga të tjerët si Bucko shkaku i fizikut të tij – por poashtu njihej si shumë inteligjent për moshën që e kishte. Për Daqiqin thuhej se ishte shumë i shoqërueshëm.

Shkollën e mesme ai e kreu në Nish, me nota të larta. Dhe pastaj diplomoi në Universitetin e Beogradit, fakulteti i Shkencave Politike, me diplomë në gazetari më 1989.

Karrierën e tij politike ai e nisi përmes gazetarisë, duke qenë redaktor i një gazete të Partisë Socialiste të Serbisë [SPS]. Anëtar i SPS-it ishte bërë më 1991, duke mbërritur pastaj deri te kreu i stafit të Informacionit dhe Propagandës gjatë zgjedhjeve të vitit 1992/93.

Për tetë vite, prej 1992-s e deri më 2000, Daqiqi ishte zëdhënës i partisë së Millosheviqit. Në atë periudhë në Serbi ai njihej si “Slloba i vogël” në referencë me moshën e re dhe tendencën për t’u dukur dhe për të folur si lideri famëkeq Sllobodan Millosheviq. Në lidhje me të kaluarën, Daqiqi kurrë nuk është distancuar qartë.

Pas arrestimit të Millosheviqit, Daqiqi u bë njeriu kryesor i SPS-së. Në vitin 2004 ai kishte dështuar keq duke i marrë vetëm 125 mijë vota për president [4,04%].

Në gusht të vitit 2010 ai ishte vënë nën mbrojtje policore shkaku i kërcënimeve nga mafia serbe. Bosi i drogës Darko Sariq ishte marrë vesh se kishte ofruar 10 milionë euro për vrasjen e Tadiqit [atëkohë president i Serbisë] dhe Daqiqit.

Në vitin 2012 Daqiqi ishte zgjedhur kryeministër i Serbisë duke qenë i entuziazmuar që e kishte arritur 14%-shin me partinë e tij. Ai kishte thënë se e kishte dyfishuar rezultatin dhe e kishte ngritur partinë nga hiri. Praktikisht, ai e nxorri nga hiri gjithë trashëgiminë e Millosheviqit pavarësisht një kohe kur politikat e tij po dënoheshin gjerësisht në opinionin serb.

Sidoqoftë, mbështetësit e Daqiqit e vlerësojnë angazhimin e tij pro BE-së si serioz duke qenë se ai i dërgoi në burg Radovan Karagjiqin dhe Ratko Mlladiqin dhe garantoi heqjen e vizave për Serbinë.

Por, në rastin e Kosovës, “Slloba i vogël” ka qenë jashtëzakonisht i ashpër dhe ngulmues. Më 2006-n ai kishte thënë se nuk ishte problem nëse duhej të luftohej sërish për Kosovën, siç ishte bërë më parë. Në vitin 2011, në kohën kur nisi dialogu aktual i Kosovës me Serbinë, ai kishte thënë se e vetmja zgjidhje reale për Kosovën ishte ndarja në baza etnike.

Shpërndaje në: