Sot ankohen për Listën Serbe: Kurti dikur e lavdonte Goran Rakiqin se po menaxhonte mire barrikadat në Veri
Duke u thirrur në “patriotizëm”, saherë që vjen koha e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje aktivizohet në KQZ për mos-certifikimin e Listës Serbe – ani pse këta të fundit e kishin ngritur dorën për regjistrimin e tyre si parti në kohën kur anëtar ishte Adnan Rrustemi, shkruan Periskopi.
Megjithatë, “patriotizmi” i Kurtit dhe eksponentëve tjerë të VV-së karshi temës së Listës Serbe bie ndesh me deklaratat e Kurtit për ish-kryetarin e kësaj partie, Goran Rakiq.
Kujtojmë se Kurti deri në vitin 2022, ministër në kabinetin e tij e kishte Goran Rakiqin.
Madje, i njëjti, në konferencë për media nuk hezitonte ta lavdonte për kinse punën e tij që po e bënte në kohën kur vendoseshin barikada në veri të vendit.
Ministri në Qeverinë e Kurtit, Goran Rakiq, ka qëndruar në ballë të barrikadave që ishin vendosur në shtatorin e vitit 2021 në rrugët e veriut të Kosovës për të kundërshtuar zbatimin e vendimit të Qeverisë për targat e automjeteve. Ai kishte prezantuar para mediave kërkesat e njëjta me ato që prezantoheshin edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Megjithëkëtë, Kurti bëhej sikur nuk po e vërente sjelljen e Rakiqit dhe nuk bënte zë. Sjelljen e tij të hapur kundër vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, Kurti nuk e ndëshkoi asnjëherë, por përkundrazi e inkurajoi atë.
“Me atë çfarë di unë dhe çfarë më ka thënë, ai është kujdesur që situata të mos tensionohet, andaj edhe nuk do të marrë masa ndaj tij”, deklaronte Kurti më 22 shtator 2021.
Këtë argument kishte filluar ta përdorë vetë Rakiq për të arsyetuar prezencën e tij në barrikada nga ku ai paraqiste qëndrime krejtësisht në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“S’kam lexuar që jam ministër i barrikadave, por jam gjithnjë i pranishëm aty me të vetmen arsye që ta ruaj paqen, paqen dhe vetëm paqen dhe të mos lejojë të ndodhë asnjë incident”, deklaroi Rakiq për mediat kosovare më 4 gusht 2022, vetëm pak ditë pasi kundërshtoi hapur vendimin e Qeverisë Kurti për të zbatuar dy vendime të reciprocitetit me Serbinë./Periskopi/



