Sot dalin para Gjykatës 10 të dyshuarit për manipulime me vota në rajonin e Mitrovicës
Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës do të mbahen tre seanca dëgjimore ndaj dhjetë të dyshuarve – kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit lidhur me manipulim të numërimit me vota në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kjo erdhi pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre personave, të cilët dyshohet se bënë këto dallavere në komunat: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Mitrovicë të Jugut.Seanca e parë është caktuar në orën 13:30, e dyta në orën 14:00 dhe e treta me fillim nga ora 14:30.
Në terminin e parë do të del para gjykatës një e pandehur. Në të dytin dy persona. Ndërsa në orën 14:30 para gjykatës do të dalin shtatë të pandehur.
Të dielën, më 01.02.2026, 43 kryesues ishin intervistuar në stacionet policore në Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.Intervistimi kishte përfunduar në orët e pasdites.34 kryesues të dyshuar për manipulim me vota të rajonit të Mitrovicës ishin dërguar në mbajtje për 48 orë.21 prej tyre ishin ndaluar në stacionin policor të Jugut, ndërsa 13 në atë Veriut.
Ndërsa sot, më 02.02.2026 Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për manipulim me vota në Komunën e Podujevës.
Rinumërimi i plotë i votave nga KQZ ka përfunduar dhe ky institucion më 31.01.2026 ka shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 28.12.2025.Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje), dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.Rinumërimi është kryer pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.
Përgjatë procesit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra njerëz, kanë ndaluar dhjetëra dhe po i vazhdojnë hetimet.
Mëngjesin e 28 janarit, po ashtu kishte nisur aksioni i gjerë i Prokurorisë së Gjakovës rreth dyshimeve për falsifikim të rezultatit zgjedhor në Malishevë. Kryeprokurori i Gjakovës, Enis Gashi ka njoftuar se 15 kryesues qenë ndaluar për 48 orë.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave dhe evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës në procesin e numërimit të votave edhe në Drenas.
Prokuroria ka bërë të ditur se duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në Komunën e Drenasit.
Po për shkak të manipulimit me vota në Prizren, janë lëshuar 109 vendime për ndalime 48 orëshe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.Vendimi për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, pati vendosur për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna./Kallxo/



