Sot mbyllet afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve dhe mediave

Sot mbyllet afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve dhe mediave

Vetëm 586 vëzhgues janë akredituar deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Shumë të tjerë pritet të akreditohen në mbledhjet e radhës të KQZ-së.

Të gjithë këta vëzhgues të akredituar përfaqësojnë organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi dipomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për KosovaPress, se afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve dhe mediave, do të mbyllet gjatë ditës së sotme, e shtunë, 20 dhjetor.

“Deri në perëndim të ditës së sotme, e shtunë, 20 dhjetor, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.

Elezi ka theksuar se për KQZ-në, vëzhgimi i zgjedhjeve ka rëndësi të veçantë, pasi me anë të tij, vëzhguesit ndihmojnë në rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor dhe identifikimin e mangësive në organizim.

“Vëzhgimi i zgjedhjeve është një element thelbësor për garantimin e transparencës, integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prania e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë përbën një mekanizëm të rëndësishëm mbikëqyrës që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. KQZ e konsideron vëzhgimin si një proces të domosdoshëm, i cili mundëson përcjelljen e të gjitha fazave të zgjedhjeve – nga përgatitjet, dita e zgjedhjeve, e deri te numërimi dhe shpallja e rezultateve”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, vetëm vëzhguesit e akredituar nga KQZ do të mund të vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Shpërndaje në: