Sot po vuajmë për një biletë, në vend se të kishim stadiumin kombëtar me 30 mijë ulesë

Sot po vuajmë për një biletë, në vend se të kishim stadiumin kombëtar me 30 mijë ulesë

Shkruan: Adri Nurellari

Teksa po afron ndeshja me Turqinë dhe kërkimi për një biletë është kthyer në fjalën e ditës, vjen natyrshëm edhe kujtesa për atë që Kosova mund të kishte sot, por nuk e ka.

Rreth një dekade më parë, Kosova diskutonte ndërtimin e një stadiumi të ri olimpik kombëtar me rreth 30 mijë vende në Prishtinë, një projekt që do të përmbushte standardet më të larta europiane. Madje ekzistonte një ofertë konkrete financimi nga Hungaria, e cila parashikonte mbështetje financiare, një projekt të përgatitur të ngjashëm me Groupama Arena dhe angazhimin e kompanive të tyre në ndërtim. Ishte një moment kur Kosova kishte një mundësi reale për të bërë një hap të madh përpara dhe për të ndërtuar një simbol të ri kombëtar.

Por në vend të këtij projekti transformues (që qeveria Kurti 1 e anulloi) përfunduam duke “arnuar” stadiumin ekzistues të vitit 1953. Nga një vizion për një arenë moderne me 30 mijë vende, përfunduam në një zgjidhje minimale që vetëm sa mbulon nevojat bazë.

Po të ishte nisur atëherë, sot Kosova do të kishte një stadium dinjitoz për ndeshje të mëdha ndërkombëtare, një arenë ku përballje si ajo me Turqinë do të zhvilloheshin me standarde të barabarta me rajonin.

Dhe ky është thelbi i problemit, dhe nuk lidhet thjesht me një stadium të humbur, por një dekadë e humbur ku ambicia është zëvendësuar me mediokritet dhe ku zhurma e retorikës qeveritare për sovranitet mbulon mungesën totale të veprave madhore që do ta mishëronin atë.

Ky rast provon se Kosova nuk vuan nga mungesa e parave, por nga mungesa e kapacitetit për t’i kthyer ato në projekte reale. Tashmë vendi është mësuar të kënaqet me shumë më pak se çfarë meriton dhe shumë më pak se çfarë është në gjendje të ndërtojë.

 

Shpërndaje në: