Spalletti i beson skuadrës: Nuk më nevojiten transferime tjera në janar

Spalletti i beson skuadrës: Nuk më nevojiten transferime tjera në janar

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti ka deklaruar se nuk ka kërkuar përforcime në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht raportimeve se klubi po kërkon një qendërmesfushor.

Me hapjen zyrtare të afatit kalimtar dimëror, disa burime pranë klubit kanë raportuar se “Bianconerët” po shqyrtojnë mundësinë për të afruar një lojtar të ri në mesfushë, por tekniku italian ka mohuar se kjo është kërkesë e tij.

“Erdha te Juventusi me marrëveshje të qarta që në momentin kur e pranova këtë detyrë. Nuk pres asgjë, jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion”, ka deklaruar Spalletti për “Ilbianconero.com”.

Juventusi ka fituar shtatë nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e klubit tashmë po mendojnë për një zgjatje të kontratës së trajnerit.

Megjithatë, Spalletti ka bërë të qartë se as kjo nuk është prioritet për të në këtë moment.

“Nëse do të kisha pasur nevojë për diçka tjetër për t’u ndier më i sigurt me një kontratë më afatgjatë, do ta kisha diskutuar që në fillim, kur fola me Comollin. Nuk e bëra dhe jam mirë në çdo aspekt”, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

“Më duhet vetëm të ndihem mirë me punën time dhe me njerëzit që bashkëpunojnë me mua në dhe jashtë fushës. Kam gjetur njerëz jashtëzakonisht profesionistë, që respektojnë rolet dhe punën që duhet bërë. Ne ndajmë të njëjtat objektiva”.

Spalletti konfirmoi se objektivi kryesor mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

“Qëllimi është Liga e Kampionëve dhe po punojmë në atë drejtim. Në qershor do të bëjmë vlerësimet më të mira, në të mirë të Juventusit dhe tifozëve. Nëse gjithçka është e kënaqshme për të gjithë, atëherë mund të flasim për diçka tjetër. Për momentin, nuk kam nevojë për asgjë tjetër”, përfundoi ai./Periskopi/

Shpërndaje në: