Spalletti: Zhegrova na e ndryshoi lojën, edhe pse kishte kaluar gripin
Juventusi mori një fitore të vështirë 2-0 në transfertë ndaj Pisas në “Cetilar Arena”, në një ndeshje ku bardhezinjtë u vunë disa herë në provë nga vendasit, të cilët goditën dy herë shtyllën me Stefano Moreo dhe Matteo Tramoni.
Pas presionit të Pisas, Juve gjeti avantazhin në minutën e 73-të, kur një kros i ulët i Weston McKennie u devijua dy herë dhe Pierre Kalulu e shtyu topin në rrjetë. Në shtesë, Kenan Yildiz vulosi fitoren pas një aksioni të mirë të Fabio Mirettit.
Pas ndeshjes, trajneri Luciano Spalletti pranoi se ekipi i tij nuk ishte në nivelin e duhur për 90 minuta. “Ritmi ynë ishte i ngadaltë. Fundi i pjesës së parë dhe fillimi i së dytës ishin të dobëta, Pisa na krijoi probleme me intensitetin e saj dhe ishim me fat në disa momente,” deklaroi ai për Sky Sport Italia.
Ndryshimet në pjesën e dytë, veçanërisht hyrja e Edon Zhegrovas, i dhanë më shumë gjallëri lojës së Juventusit. “Zhegrova kishte kaluar grip me temperaturë të lartë dhe nuk isha i sigurt sa do të rezistonte, por duhej të rrezikonim. Ai di të marrë iniciativa dhe të krijojë hapësira,” shtoi Spalletti.
Trajneri vlerësoi gjithashtu përmirësimin e Khephren Thuram dhe paraqitjen e Fabio Mirettit nga stoli, duke theksuar se kjo fitore rrit besimin e skuadrës. Megjithatë, ai ishte kritik për disa elementë taktikë, përfshirë performancën e Teun Koopmeiners pas rikthimit në mesfushë.
“Kemi cilësi, por problemi ynë është se duhet ta tregojmë çdo herë në fushë. Në pjesën e parë ishim nën nivel në shumë aspekte,” përfundoi Spalletti.
Kjo ishte fitorja e shtatë e Juventusit në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke e mbajtur ekipin në garë për titullin kampion, edhe pse renditja mbetet e paqartë për shkak të ndeshjeve të shtyra nga Superkupa Italiane.



