Sportisti kosovar diskualifikohet në Mal të Zi pasi festoi me shqiponjë
Rejan Krasniqi, një pingpongist i ri nga Ferizaj është diskualifikuar në një turne ndërkombëtar të mbajtur në Mal të Zi. Ngjarja ndodhi pasi që gjatë festës së fitores në finale, ai bëri simbolin e shqiponjës me duar.
Kjo u bë e ditur të dielën mbrëma nga klubi i pingpongut “Gani Maloku”, ku bën pjesë sportisti. Sipas klubit në fjalë, ngjarja ka ndodhur në turneun “Podgorica Open”, i zhvilluar në kryeqytetin e Malit të Zi.
Në njoftimin e klubit ferizajas, vendimi për diskualifikimin e Krasniqit u mor nga organizatori i turneut, menjëherë pas përfundimit të finales. Në videon e publikuar, i riu shihet duke festuar fitoren dhe duke bërë simbolin e shqiponjës drejt familjarëve dhe ekipit të tij.



