“Suksesi në Facebook” – Sejdiu ia ‘çjerr maskën’ propagandës së Kurtit dhe Rizvanollit në Davos

“Suksesi në Facebook” – Sejdiu ia ‘çjerr maskën’ propagandës së Kurtit dhe Rizvanollit në Davos

Analisti Dardan Sejdiu ka kritikuar paraqitjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Davos, duke thënë se retorika për “rritje” dhe “rekorde” nuk përputhet me realitetin.

“Një vend nuk matet me fjalë, por me numra që s’ki qysh i maskon”, shkruan Sejdiu, duke përmendur deficit tregtar mbi 6 miliardë euro, nivel të lartë joaktiviteti ekonomik dhe varësi nga asistenca sociale e subvencionet e energjisë.

Ai thekson edhe dështimet në arsim dhe koston e lartë të jetesës, duke shtuar se “suksesi jeton veç në Facebook, ndërsa mbijetesa është puna e vërtetë e qytetarëve”.

Sipas Sejdiut, është koha që pushteti të nisë “dialog të vërtetë me realitetin”, e jo propagandë nga konferencat ndërkombëtare.

 

Postimi i plotë:

Në Davos, dyshja Kurti – Rizvanolli po flasin për “rritje”, “stabilitet” dhe “rekorde” në ekonomi e zhvillim. Po një vend nuk matet me fjalë, matet me numra që s’ki qysh i maskon e as ku i ikë edhe nëse je në Davosin e miliarderave e 1650 km larg!

Qe 5 numra që ishin dashtë me shpu propagandën pa zhurmë:

1.⁠ ⁠Gropa tregtare: Në vitin 2025, importet na shkuan rreth 7.0 miliardë euro. Kjo është fotoja e një ekonomie që blen, jo që prodhon. Nga ana tjetër, eksporti mezi e prek “nën një miliard”. Rezultati? Deficiti tregtar i vitit 2025 del mbi 6 miliardë euro! Kjo është ajo gropa e madhe ku humbin pagat, investimet e vendet e punës. Nuk është “statistikë”, është rrjedhje e përditshme e parave jashtë.

2.⁠ ⁠Paraliza sociale: Sipas GAP, nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, rreth 613 mijë konsiderohen ekonomikisht joaktivë. Prej tyre, 402,847 janë gra (66%). 78 mijë të rinj janë NEET (as në punë, as në shkollë, as në trajnim). Ky është alarm, jo statistikë e thatë! Kur gjysma e fuqisë së vendit rri jashtë tregut, “mungesa e punëtorëve” nuk është mister, është pasojë.

3.⁠ ⁠Kosova e “infuzionit”: Në qershor 2025, skema e asistencës sociale i kishte 16,759 familje (65,026 anëtarë). Por, skema e subvencionimit të rrymës përfshin afër 90,000 familje – pra afër 350,000 qytetarë që përkrahen me u nxe dimrit. 350,000 duhet me i përkrah me nxemje, 65,000 me bukë. Këtu e sheh Kosovën reale, jo Kosovën e konferencave.

4.⁠ ⁠Falimentimi i dijes: Arsimi i hershëm mbetet i ulët, vetëm 36.8% e fëmijëve 3–5 vjeç janë të regjistruar në parashkollor. Kur s’e nis herët, ma vonë e paguan me mungesë shkathtësish. Në PISA 2022: 85% s’e arrijnë nivelin bazë në lexim, 83% në matematikë, 79% në shkencë. Shumica e 15-vjeçarëve kanë vështirësi me leximin bazë dhe detyra të thjeshta logjike. Pa këto, s’ka produktivitet as ekonomi moderne.

5.⁠ ⁠Çmimi i jetës: Sipas IKSHPK, rreth 1,150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit. Kjo është kosto njerëzore, jo vetëm mjedisore. Dhe mbi këtë, nga 1 maji 2025, faturat e rrymës u rritën mesatarisht për 16%. Tregu i energjisë për biznese po funksionon si treg i detyrueshëm pa konkurrencë: çmimet raportohet se janë trefishuar. Prodhuesit vendorë e humbën garën me importin, e konsumatori e paguan përmes çmimeve më të larta.

Këta numra lidhen për ata që s’janë tifoz. Deficiti tregtar e tregon varësinë e Kosovës. Joaktiviteti e tregon ngujimin shoqnor. Asistenca sociale e tregon presionin mbi familjet. Arsimi i hershëm dhe PISA e tregojnë pse kjo vazhdon. Ajri i keq e tregon çmimin në shëndet. Rryma e shtrenjtë e tregon sa e brishtë është jeta e përditshme kur sistemi nuk prodhon siguri.

Në frymën e slloganit të Davos-it, ‘A Spirit of Dialogue’, është koha e fundit që kjo parti në pushtet të nisë një dialog të vërtetë me realitetin! Është koha me folë troç se si po dalim prej këtij qorrsokaku ku propaganda e qeverisë fluturon në qiell, e jetesa e qytetarit ka ra në gropë. Mjaft me monologje e video të montuara propagandistike! Neve na duhet dialog për me shpëtu prej këtij lloqi ku suksesi jeton veç në Facebook, e mbijetesa është e vetmja punë e vërtetë në Kosovë.

Shpërndaje në: