Sulmi i Gërvallës ndaj T7 dhe gazetarit Kërquki, AGK: I papranueshëm dhe i padinjitetshëm për postin që mban
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme dhe të padinjitetshme gjuhën ofenduese që deputetja Donika Gërvalla ka përdorur kundër Televizionit T7 dhe gazetarit dhe moderatorit të Pressing, Leonard Kërquku.
AGK ka dënuar ashpër fjalorin e përdorur nga Gërvalla, duke thënë se një gjuhë e tillë synon minimin e punës së televizionit dhe gazetarit.
Postimi i plotë i AGK:
Gjuhë e papranueshme sulmuese e Donika Gërvallës ndaj T7 dhe Leonard Kërqukut
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e vlerëson si të papranueshëm dhe të padinjitetshëm për postin që mban, sulmin me gjuhë të ulët të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquki, autor i emisionit Pressing.
AGK-ja dënon ashpër një fjalor të tillë nga një zyrtare e lartë e shtetit, që synon të minojë punën e televizionit dhe gazetarit, në një medium ku ajo vetë ka dhënë intervistë.
AGK-ja i fton zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregohen të përmbajtur në reagimet e tyre publike, duke mos vazhduar me sulme frontale ndaj mediave.
AGK-ja dënon çdo formë dhune dhe mungesë tolerance që manifestohet në transmetimet e drejtpërdrejta të debateve politike.



