Supremja anulon vendimin e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e u.d Kryeprokurorit të Shtetit

Supremja anulon vendimin e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e u.d Kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Besim Kelmendit dhe ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin Kelmendi ishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“APROVOHET e bazuar ankesa e paraqitur nga Besim Kelmendi, UD. Kryeprokurorit të Shtetit, ANULOHET vendimi KPK.nr.1056/2025, i datës 20.11.2025 si i kundërligjshëm dhe lënda i kthehet Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e siguruar “Betimi për Drejtësi“, përcjell Periskopi.

Në vendimin e marrë më 16 dhjetor 2025, thuhet se ndaj vendimit të KPK-së të marrë më 20 nëntor 2025, me të cilin Kelmendi u shkarkua nga pozita e u.d Kryeprokurorit të Shtetit, ky i fundit kishte ushtruar ankesë në afat ligjor, duke e atakuar vendimin për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit, shkeljes procedurale të përcaktuar me ligj, gabimit faktik, të qartë apo të dukshëm, që ndikon në të drejtat substanciale të palës dhe ndikimit serioz në paanësinë dhe integritetin e procedurës.

Ndërkaq, në përgjigje në ankesë, Këshilli ka propozuar që Supremja ta refuzojë ankesën dhe të vërtetojë vendimin e Këshillit.

Andaj, Supremja gjeti se ankesa është e bazuar. Sipas kësaj Gjykate, vendimi i KPK-së është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pabazë, sepse është kontradiktor në vetvete.

“…nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veproj në formën dhe mënyrën se si ka vepruar, pra është procedurë e pambështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim”, thuhet në vendim.

Sipas Supremes, në vendimin e Këshillit nuk arrihet të kuptohet nëse Kelmendi është shkarkuar për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës dhe se në veprimet/deklarimet e tij në Këshill dhe media a plotësohen elementet e përgjegjësisë disiplinore, pasi arsyet për të cilat është shkarkuar paraqesin elemente të shkeljes së Kodit të Etikës për Prokurorë.

“…pasi aludohet në ushtrim mbajtje të qëndrimeve jo objektive favorizim, prononcim për media për çështje që nuk munden me qenë të përshtatshme për prononcim, pastaj mungesa e objektivitetit, të gjitha këto janë elemente të procedurës disiplinore, bazë tjetër që lidhet me shkarkimin është fakti se a është shkarkuar për shkak të vlerësimit të performancës pasi që në Vendimin mbi shkarkimin në hyrje të të njëjtit ku përmendet baza ligjore ndër të tjera vendimi bazohet në nenin 22.5 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës që i referohet situatës së shkarkimit për shkak të performancës (por që duhet të ketë një raport negativ të vlerësimit të performancës) i cili raport duhet të diskutohet, konstatimit të sjelljes kriminale, keq menaxhimit, jo-kompetencës, apo dështimit në kryerjen e detyrave të pozitës”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se referimi në dispozita ligjore në mënyrë të përgjithshme dhe të ngatërruar, pa specifikuar saktë bazën konkrete dhe shkaqet dhe në pajtim me dispozitat ligjore të ligjeve të cilave iu është referuar, duke ndërlidhur faktet e vërtetuara në procedurë me të drejtën materiale apo bazën për shkarkim dhe respektimin e procedurës deri te shkarkimi, është bazë e pamjaftueshme dhe përbën në vetvete vendim të kundërligjshëm.

Shkalla e tretë thekson se shkarkimi për shkak të qëndrimeve personale, deklarimeve në media dhe Këshill, pa iu dhënë mundësia që Kelmendi të dëgjohet, përbën shkelje në vetvete nga ana e KPK-së. Kjo ngase, ai duhet të dëgjohet në raport me këto konstatime dhe jo të procedohet drejtpërdrejt për shkarkim.

Aty thuhet se as referimi i KPK-së në dispozitat e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, që i referohet funksionimit të organeve kolegjiale, në raport me sigurimin e kuorumit, nuk qëndron. Për këtë, thuhet se janë dispozitat e Ligjit për KPK-në që kanë përparësi në zbatim në raport me dispozitat e LPPA, që kërkon kuorumin e që nënkupton gjysmën e anëtarëve plus një votë- përfshirë edhe procedurën disiplinore, pra gjysmën e thjeshtë.

“…që nënkupton se në rastin konkret Këshilli nuk ka pasur fare kuorum për hapje të seancës me pikë të rendit të ditës shkarkimin e U.D të Kryeprokurorit por ka qenë dashur që të sigurojë së paku 6 anëtarë nga përbërja aktuale që juridikisht janë 11 sepse nuk është aprovuar dorëheqja apo ka mbetur pezull çështja e tyre, por edhe në rastin tjetër që janë 10 anëtarë kuorumi duhet të sigurohet nga 5 plus 1 anëtar, pra 6 anëtarë dhe rrjedhimisht me 5 anëtarë Këshilli nuk mund të ushtrojë asnjë funksion të thjeshtë as të mbaj mbledhje e lëre më të procedojë me vendimmarrje apo edhe shkarkim”, vlerëson Supremja.

Gjithnjë sipas vendimit, pretendimi i Këshillit se me 5 anëtarë sigurohet kuorumi pasi anëtari ex-officio nuk llogaritet, ndërsa 9 janë anëtarë të zgjedhur, është i pasaktë dhe joligjor. Kjo sepse Kryeprokurori apo u.d Kryeprokurori është anëtar që nuk zgjidhet përmes procedurave të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, por në mënyrë automatike.

Sipas Supremes, kjo nuk nënkupton se ai është anëtar pa peshë dhe pa të drejtë vote, pasi në raste të tilla do të ishte anëtar joformal, por ai është anëtar i barabartë sikurse të tjerët dhe merr pjesë aktive në vendimmarrje.

“Aspekti tjetër i përjashtimit të anëtarit U.D nga votimi qëndron, por para kësaj duhet të votohej rendi i ditës i dryshuar dhe i votuar me shumicë dhe U.D duhej vetë përjashtuar por vetë përjashtimi nuk e zbret nivelin e kuorumit në 5 pasi prapë duhet me qenë 6 anëtarë prezent”, thuhet më tej në vendim.

Kjo Gjykatë vlerëson se qëndron arsyetimi i KPK-së se pozita e ushtruesit të detyrës dhe ajo e Kryeprokurorit nuk janë të barabarta në tërësinë e tyre, duke përfshirë sidomos aspektin e privilegjeve që i është referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vendimin e Supremes thuhet se procedura e emërimit të tyre është e ndryshme sepse njëri propozohet nga Këshilli dhe emërohet nga Presidentja pra Kryeprokurori, kurse U.D caktohet me vendim të Këshillit, që vendi mos të mbetet vakant deri në përfundim të procedurave për emërim të Kryeprokurorit. Dhe se as procedura e shkarkimit të U.D nuk është e njëjtë sikurse ajo Kryeprokurorit, sepse shkarkimi i këtij të fundit bëhet nga Presidentja pas propozimit të Këshillit, ndërkaq shkarkimi i U.D., mund të bëhet me vendim të Këshillit.

“Fakti se procedura e emërimit dhe shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit është më e thjeshtë se ajo e Kryeprokurorit, nuk nënkupton se duhet të ketë arbitraritet të procedurës në caktim të mbledhjes, sigurimit të kuoruimit për mbajtje të takimit dhe me rastin e vendimmarrjes”, thuhet në vendim.

Por, edhe në rast se do të ekzistonin kushtet për mbarëvajtjen e seancës dhe plotësimin e kuorumit, ky vendim për shkakrim Supremja thotë se do të ishte arbitrar, sepse nuk është përfillur asnjë procedurë. Po ashtu, thuhet se vendimi është i ngatërruar në aspektin e bazës dhe rrjedhimisht arsyetimi i tij është kundërthënës në vetvete, jo bindës, jo mjaftueshëm i qartë dhe duke mos siguruar standardin minimal të një vendimi mbi shkarkim.

Sa i përket rendit të ditës, në vendim thuhet se në rend dite nuk ka qenë propozimi për shkarkim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit, por është propozuar të futet në rend dite, e që ky i fundit duhet të aprovohet sidomos nëse propozohet për rend të ditës si pikë tjetër, krahas atyre që janë njoftuar nga anëtarët.

“Rendi i ditës nuk është aprovuar edhe pse është diskutuar për të dhe takimin e kanë lëshuar 5 anëtarë të KPK-së, pastaj në video incizim dëgjohet kryesuesi i Këshillit duke i thënë anëtarëve të mbetur posaçërisht zëvendëskryesueses nuk e di a kemi kuorum dhe kështu ka përfunduar takimi, pra pa aprovim të pikave të rendit të ditës”, thuhet në vendim.

Andaj, Supremja thekson se ky takim nuk ka pasur mundësi të vazhdohet sepse për t’u vazhduar është dashur që të vendoset dhe të pajtohen anëtarët e Këshillit, mirëpo takimi tjetër është ftuar dhe mbajtur pa kuorum, dhe po ashtu është vendosur pa kuorum.

Kështu që shkalla e tretë thekson se nga kjo rezulton që secili vendim që ka derivuar nga takimi i dytë është joligjor sepse KPK-ja ka qenë në përbërje jo të plotë konform dispozitave të Ligjit për KPK-në.

Supremja në vendim arsyeton se takimi i dytë- në të cilin u vendos për shkarkimin e Kelmendit është i kundërligjshëm spese nuk mund të quhet takim nëse ai paraprak mbyllet, ngase duhet të ftohet takim i ri me rend dite dhe të ftohen të gjithë anëtarët, dhe jo përmes tentim/vazhdimit të përligjet vendimmarrja për shkarkim.

Më tej, thuhet se procedura e shkarkimit të U.D nuk kërkon votë unanime por votim dhe sigurim të kuorumit, si dhe arsyetim të vendimit, i cili arsyetim duhet të jetë bindës dhe jo sikurse ka ndodhur në rastin konkret, i cili Supremja thotë se u shoqërua me shkelje të ndryshme ligjore që i referohen funksionimit, kuorumit dhe bazës ligjore për shkarkim.

“Gjykata Supreme vlerëson se vendimi i atakuar është marrë me shkelje të ligjit, me vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale”, thuhet në vendim.

Në fund, Supremja ka udhëzuar KPK-në që t’i eliminojë të metat që e kanë përcjellë vendimin e atakuar, të ftojë takim apo mbledhje me pikë përkatëse të rendit të ditës, të sigurohet se janë njoftuar të gjithë anëtarët me datën e takimit dhe pikat e rendit të ditës, të sigurohet kuorumi për mbajtje të takimit si parakusht për zhvillimin e tij konform dispozitave në fuqi, dhe të vërtetohet në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendja faktike, dhe me rastin e vendimmarrjes të zbatohet drejt e drejta materiale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative kishte refuzuar kërkesën e Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të KPK-së, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kishte ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit. Po ashtu, Kelmendi kishte propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.

Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.

“Megjithatë, kryesuesi i KPK-së, pasi e mbylli zyrtarisht mbledhjen duke konstatuar mungesën e kuorumit, në të njëjtën ditë caktoi një takim të ri pas vetëm disa minutave. Në takimin e ri të pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial, morën pjesë vetëm: Jetish Maloku, Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci, Milot Krasniqi dhe kryesuesi Ardian Hajdaraj, ndërsa nuk ishin të njoftuar apo të ftuar fare anëtarët tjerë të Këshillit: Arian Gashi, Veton Shabani, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, si dhe tani paditësi Besim Kelmendi. Në këtë takim të dytë vetëm nga 5 anëtarë të KPK-së është marr vendimi KPK.nr.2062/2025 i datës 20.11.2025, me të cilin paditësi është shkarkuar nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në padi.

Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute.

Aty potencohet se neni 37/A i Ligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i titulluar si dispozitë kalimtare, përcakton qartë dhe në mënyrë imperative se: “Derisa të zbatohet përbërja e përhershme e Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm.

“KPK aktualisht sipas një analize të vet KPK-së, ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë të zgjedhur. Duke u bazuar në formulën eksplicite të nenit 37/A, kuorumi i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e çdo vendimi është: gjysma e anëtarëve të zgjedhur (11 : 2 ≈ 5,5) e rrumbullakosur në pesë (5), plus një (1) anëtar – pra gjithsej gjashtë (6) anëtarë”, thuhet në padi.

Por, në padi thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.

“Për pasojë, KPK nuk ka pasur organ kolegjial të konstituuar në atë çast dhe, si rrjedhim, nuk ka pasur as kompetencë funksionale për të marrë vendime”, thuhet në vendim.

Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.

Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.

Për këtë arsye, paditësi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.

Sipas padisë, KPK e ka trajtuar shkarkimin e paditësit sikur të ishte miratimi i një plani pune apo vendim rutinë administrativ, pa e vënë në lëvizje mekanizmin e komisionit disiplinor, pa hetim, pa mbledhje provash, pa dhënien e mundësisë së dëgjimit të subjektit, dhe pa respektuar pragun e kërkuar të 2/3 të votave.

Gjithashtu, në padi thuhet se KPK-ja pretendon se paditësi paska “shprehur qëndrim të njëanshëm publik”, pa theksuar së si u shpreh ky qëndrim, dhe këtë e konsideron si “denigrim të pozitës”.

“Ligji nuk e njeh këtë formulim si shkak për shkarkim. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që e bën “deklarimin publik” arsye për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit. Aq më tepër pa asnjë procedurë ligjore”, thuhet në padi.

Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.

Këshilli Prokurorial, sipas paditësit, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.

“Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës konfirmon në mënyrë të përsëritur se: aktet e nxjerra nga organ pa kompetencë materiale ose funksionale nuk krijojnë efekt juridik (p.sh. KI 99/14); kuorumi është kusht themelor për vlefshmërinë e vendimeve të organeve kolegjiale (p.sh. KI 196/21); ndërhyrjet arbitrare në mandatin dhe statusin e institucioneve të pavarura janë antikushtetuese (p.sh. KO 73/16); dhe ndërprerja e mandatit pa procedurë të rregullt shkel sigurinë juridike (p.sh. KI 64/18)”, theksohet në padi.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare. Dhe që i padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës.

Me anë të padisë, paditësi ka paraqitur edhe kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë me qëllim të ruajtjes së gjendjes juridike ekzistuese dhe parandalimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm deri në marrjen e një vendimi meritor, si dhe sigurimi që procesi gjyqësor të zhvillohet me kuptim e efekt.

Sipas padisë, vendimi i KPK-së ka krijua dëm të rëndë real, të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejt dhe të pakthyeshëm, si pasojë e veprimit të kundërligjshëm, sepse paditësi mund të humbasë pozitën e tij si Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.

Aty thuhet se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është funksioni më i lartë brenda sistemit prokurorial dhe çdo ndërhyrje e paligjshme në ushtrimin e saj prodhon pasoja të thella profesionale dhe institucionale. Thuhet se humbja e kësaj pozite qoftë edhe përkohësisht, krijon pasoja reputacionale dhe profesionale që nuk mund të zhbëhen me një vendim të mëvonshëm gjyqësor

Në padi theksohet se shkarkimi i paligjshëm prek drejtpërdrejt autoritetin, integritetin dhe figurën publike të paditësit, duke shkaktuar një dëm që nuk mund të pakthyeshëm nëse masa nuk vendoset menjëherë.

“Çdo ndryshim në krye të institucionit, i bazuar në një akt të pavlefshëm, prodhon efekte zinxhirore të pakthyeshme si brenda institucionit, ashtu edhe në perceptimin e publikut dhe në stabilitetin e sistemit prokurorial”, thuhet në padi.

Më tej thuhet se vendosja e masës së përkohshme të sigurisë jo vetëm që nuk e cenon interesin publik, por e mbron drejtpërdrejt atë.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe të pezullohet zbatimi i vendimit të KPK-së dhe paditësi të vazhdojë të ushtrojë detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Shpërndaje në: