Supremja liron burrin që u dënua për dhunën brutale deri në vdekje të bashkëshortes

Supremja liron burrin që u dënua për dhunën brutale deri në vdekje të bashkëshortes

Ndonëse Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit e konfirmoi dënimin prej 15 vitesh ndaj Ilir Haxhiajt, për dhunën brutale deri në vdekje ndaj bashkëshortes së tij, shkalla e fundit e ka liruar nga akuzat. Kjo në mungesë provash e mos vërtetimit përtej dyshimit të arsyeshëm.

Pas 7 vjetësh qëndrimi në burg Ilir Haxhiaj nga komuna e Suharekës, tashmë është liruara nga akuzat për rrahjen deri në vdekje të bashkëshortes së tij Hatije Dina.

Gjykata Supreme ka liruar të njëjtin nga akuzat për lëndim të rëndë trupor nën arsyetimin se vendimi i Themelores dhe i Apelit për dënim me 15 vjet burgim, nuk qëndron përtej dyshimit të bazuar.

“Gjykata Supreme arrin në përfundim se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë kanë bërë interpretim selektiv, fragmentar dhe të izoluar të provave, pa i shqyrtuar ato në ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën dhe as në tërësinë e tyre, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qarta e të qëndrueshme mbi plotësimin e standardit “përtej dyshimit të arsyeshëm” për fajësinë e të pandehurit. Në rastin konkret, faktet dhe provat e administruara në kuptimin procedural nuk mbështesin këtë standard, në mënyrë që gjykata të bindet për fajësinë e të pandehurit në një shkallë të tillë që çdo dyshim i arsyeshëm të përjashtohet për të pandehurin lidhur me kryerjen e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor dhe dënuar. Si rrjedhim, në bazë të dispozitës së nenit 363 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), ai u lirua nga akuza për veprën penale lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 5 lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”

Haxhiaj u gjykua dy herë nga Gjykata Themelore në Prizren, e cila në të dy rastet e shpalli fajtor duke e dënuar me dënim prej 15 vitesh burgim, për akuzat se në qershor të 2019 pas mosmarrëveshjeve që kishin pasur, ai e kishte goditur disa herë për asfalti të ndjerën, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Herën e parë Apeli e prishi vendimin e Themelores, dhe e ktheu rastin në rigjykim, për ta vërtetuar dënimin herën e dytë.

Në vendimin 16 faqesh të Supremes, thuhet se të dy shkallët e gjykatës nuk e kanë trajtuar thelbin e çështjes.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës, të dy gjykatat – gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit – nuk e kanë trajtuar thelbin e çështjes, faktet dhe provat kontradiktore, por janë mjaftuar duke u mbështetur vetëm në një version të ngjarjes, atë të prokurorisë, siç përshkruhet në dispozitiv. Përmendja e provave të natyrës objektive, si gjetja e gjurmëve të gjakut në vendin e ngjarjes dhe fakti se palët në të kaluarën kanë pasur raporte të mira, përbëjnë fakte jo-kontestuese. Gjykata vëren se gjykatat nuk kanë bërë një analizë kritike të ekspertit të komunikacionit, Ejup Qehaja, dhe të ndërlidhjes së kësaj prove me provat e tjera. Përkundrazi, ato e kanë çmuar si të fragmentarizuar dhe të ndarë nga provat e tjera, sidomos nga ato prova që janë në kundërshtim me versionin dhe konstatimet e këtij eksperti. Gjykatat nuk kanë trajtuar kundërthëniet thelbësore që ekzistojnë mes dy ekspertizave, të cilat në esencë janë të papajtueshme me njëra-tjetrën për versionin e ngjarjes dhe që kanë rëndësi vendimtare për epilogun e çështjes”.

Për dhunën e vazhdueshme që e ndjera kishte përjetuar ndër vite, në seancat e mbajtura gjatë shqyrtimit gjyqësor, kishin dëshmuar djali i viktimës dhe vëllezërit e saj, të cilët kanë pohuar se viktima Hatije Dina ka përjetuar dhunë të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj ndër vite./RTV Dukagjini

Shpërndaje në: