Supremja refuzon ankesën e VAKAT, ka të bëjë me motren e Donika Kada Bujupit
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, Koalicija Vakat, ndërsa e ka vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me certifikimin e kandidates Ena Krasniqi.
Koalicioni Vakat, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën e konteston ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së, dhe kërkon që të detyrohet KQZ-ja të certifikojë kandidaten Ena Krasniqi, në listën garuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit, të këtij subjekti politik.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimi se një kandidat për deputet mund të kandidojë për përfaqësim të një komuniteti për të cilin Kushtetuta dhe Ligji parashohin vende të garantuara, vetëm mbi bazën e origjinës etnike nga ana e nënës, nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.
Kandidatja Ena Krasniqi në listën e subjektit politik Koalicioni Vakat, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që do të dëshmonte lidhjen e saj reale me atë komunitet apo kontributin për të mirën e tij. Në mungesë të çdo dëshmie për angazhim të vazhdueshëm shoqëror, kulturor, politik apo institucional në mbrojtje dhe avancim të interesave të atij komuniteti, pretendimi për përfaqësim mbetet thjesht deklarativ dhe pa bazë faktike, thuhet në vendim.
Lexo po ashtuNë prag të zgjedhjeve: Gara mes premtimeve për PrishtinënGjykata Supreme përkujton se moslejimi i certifikimit në rastin konkret nuk e privon kandidatin nga e drejta për t’u zgjedhur në kuptimin e përgjithshëm të nenit 45, pasi atij nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje si e tillë, por vetëm i pamundësohet kandidimi në kuadër të një mekanizmi të veçantë kushtetues që është i rezervuar për një kategori të caktuar subjektesh, përkatësisht për anëtarët e komunitetit përkatës.
“Një dallim i tillë nuk përbën diskriminim dhe as kufizim të pajustifikuar të së drejtës zgjedhore, por është pasojë e drejtpërdrejtë e zbatimit të dispozitave kushtetuese që parashohin masa afirmative për komunitetet jo-shumicë.”



