Suso: Jam i lumtur te Milan

Suso: Jam i lumtur te Milan

Ndër protagonistët kuqezinj me pritshmëritë më të mëdha në finalen e Kupës së Italisë, e cila do të luhet të mërkurën në mbrëmje, në “Stadio Olimpico” të Romës, sigurisht që është Suso.
Spanjolli mori një goditje në ndeshjen kundër Verona, por planifikon të bëjë më të mirën kundër bardhezinjve.

“Unë ende kam disa orë për ta rikuperuar lëndimin në kofshën e djathtë, – tha futbollisti në fjalë për “Tuttosport”. – Fakti që kjo është një finale tepër e rëndësishme, nuk dua të mungoj kurrsesi, edhe pse e di se definitivisht, koha nuk është në favorin tim. Sezoni im ka qenë përgjithësisht pozitiv, Kupa e Italisë do të jetë si qershia mbi tortë, nëse e fitojmë. Sezonin e ardhshëm do të bëj edhe më mirë”.

Suso duket se e sheh veten të veshur me fanellën kuqezi edhe sezonin e ardhshëm: “Unë gjithmonë e kam thënë se jam shumë mirë këtu në Milano. Nëse ekipi dhe klubi dëshirojnë të rriten me mua, do të jem i lumtur, sepse Milani është shtëpia ime. Po të mos ishte kështu, nëse në vend të rritjes, do të ishte një vit i tranzicionit, do ta kisha thënë”.

Para se të mendojë për të ardhmen, Suso ka ende një finale për ta luajtur, të cilën do të përpiqet ta fitojë: “Ndeshja kundër Juventusit të karikon vetvetiu, – shtoi Suso. – Sigurisht, do të japim maksimumin për ta fituar këtë trofe. Jam i bindur se sezonin e ardhshëm mund të bëjmë kërcimin në cilësi. Fitimi i Kupës së Italisë do ta përfundonte rrugën e rritjes dhe do të na jepte besim të madh”.

Edhe për shkak se performanca e fundit e Juventus nuk ishin emocionuese, titulli i 7-të radhazi është tani një formalitet për “Zonjën e Vjetër”. “Ne themi se kohët e fundit, Juvja ka luftuar pak, – pranoi Suso, – por është, gjithashtu, e vërtetë se në fund e solli në shtëpi trofeun e kampionit”.

Shpërndaje në: