I bëri 11 persona për spital, Qeveria e Kosovë e bëri anëtare bordi
Anëtarë të Bordit janë emëruar Shqipe Dema, Isuf Sakiqi, Parim Bajrami, Tahire Maloku, Selvete Krasniqi, Selatin Kaqaniku dhe Valdet Gjinovci.
Mandati i të emëruarve zgjat tri vjet.
Shqipe Dema, në cilësinë e vozitëses, në vjeshtën e 2015-tës, pati lënduar rëndë e lehtë 11 persona, në aksidentin te Rrethi në Prishtinë.
Periskopi.com mëson se ajo asnjëherë nuk është ndëshkuar për veprimin. E tash ajo është graduar.
Ajo ishte drejtuesja e njërit prej dy automjeteve që shkaktoi aksidentin “Te rrethi”, që në atë kohë ishte drejtoreshë e njërit prej dikastereve të Ministrisë së Bujqësisë.
Atë kohë, Dema ishte kthyer punës në Ministri të Bujqësisë, pas më pak se një muaji prej se e shkaktoi aksidentin.
Më 20 shtator, rreth orës 18:55, duke i thyer rregullat e komunikacionit, ajo kishte “dërguar” në Emergjencë nëntë persona: Halide Gurin, Rexhep Bllacën, Florim e Albi Zymberin, Hetem e Shukrije Sinanin, Xhemajl dhe Fazile Hodajn, si dhe Jeta Pirevajn.
Menjëherë asaj i ishte shqiptuar masa e arrestit-shtëpiak dhe po ashtu ishte suspenduar nga pozita e drejtoreshës në Departamentin për Zhvillimin Rural.
Pas më pak se dy javësh prej se ishte shkaktuar aksidenti, më saktësisht më datën 13 tetor, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka akuzuar Demën për veprën penale: rrezikim i trafikut publik. E pas tri ditësh është mbajtur edhe shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Duke qenë se Dema gjatë kësaj seance e ka pranuar fajësinë, gjykata e ka dënuar atë me 1 vit burgim, me kusht që brenda 2 vjetësh të mos bëjë shkelje tjetër penale. Gjithashtu i është ndaluar vozitja në kategorinë “B” në afat prej një viti./ Periskopi



