Gjuriq i bërtet SHBA-së: Shikoji punët tua!

Gjuriq i bërtet SHBA-së: Shikoji punët tua!

 

Marko Gjuriq, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, iu  kundërpërgjigj ashpër ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Kyle Scott.

Kjo pasi diplomati amerikan  reagoi ndaj blerjes së aeroplanëve ushtarakë rusë nga Serbia.

Gjuriq, sipas mediave serbe, tha se Serbia i respekton të gjitha shtetet dhe nuk ndërhyn në politikën e tyre.

Ai tha se të njëjtën gjë  e pret edhe nga shtetet tjera ndaj Serbisë.

“Nuk kam parë që ambasadori ynë në SHBA të jetë konsultuar kur SHBA-ja  vendosi të blejë aeroplanë F-35, atë model apo këtë”, tha Gjuriq.

Ai në  konferencë për media komentoi çështjen se ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, “nuk i pengon ushtria e Kosovës, por i pengojnë migët rusë të cilët do të mbërrijnë në Serbi”.

Ai ka shtuar se Serbia i respekton të gjitha shtetet, i qëndron parimit të barazisë mes shteteve dhe popujve dhe “nuk ia jep të drejtën vetes që të sillet me shtete tjera sikur të mos jenë sovrane dhe të pavarura dhe nuk ndërhyn në politikën e shteteve tjera”.

“Unë ende s’kam dëgjuar nga Matkoviqi (ambasadori serb në SHBA) ta ketë pyetur dikush për shitjen e armëve në vlerë prej 110 miliardë dollarësh Arabisë Saudite, e as për blerjen e ‘Fantomëve’ të rinj. Përderisa dikush të mos e konsultojë, nuk presim që këtu dikush të kërkojë që ne t’i pyesim për pajtim kur ne e pajisim ushtrinë tonë”, ka thënë Gjuriq.

 

Shpërndaje në: