Komuna e Prishtinës rekomandon për kontratë biznesin që drejtohej nga i dënuari për mashtrim ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës
Komuna e Prishtinës e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “NBT-ING”, ani pse pronari i saj ishte dënuar për dokumente të falsifikuara dhe mashtrim me prokurimin publik, shkruan Periskopi.
Prokurimi i Komunës së Prishtinës ka vendosur që të lidhë kontratë në vlerë prej rreth 400 mijë euro më kompaninë që udhëhiqej nga i dënuari për mashtrim me prokurimin publik. Fjala është për Tahir Sopën, që në kohën kur ishte dënuar drejtonte biznesin “NBT-ING” SHPK, i cili tash është rekomanduar për kontratën Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re, sipas përshkrimit teknik të dhënë në dosjen e tenderit
Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re, sipas përshkrimit teknik të dhënë në dosjen e tenderit.
Sopa në dy raste është dënuar nga Gjykata për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim me prokurimin publik.
Për rastin e parë ai është dënuar më 29 qershor 2021, ndërsa për rastin e dytë është dënuar më 12 janar 2023. Për njërin rast, dënimin e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit më 12 shkurt.
Njoftimi për fitues të tenderit është shpallur sot dhe është realizuar më procedurë të hapur. Kanë garuar 15 kompani. Por kompania “NBT -ING” SH.P.K ka pasur çmim shumë të ulët krahasuar me të tjerët, në një vlerë prej: 386,096.29. Vetë vlera e parashikuar e kontratës e vendosur nga komuna ka qenë 700 mijë euro. Kur çmimi i kontratës është për 40% më i ulët se vlera e parashikuar tregon një sinjal për mos planifikim të duhur të tenderit dhe të vlerës së parashikuar dhe/ose kompania që ka fituar tenderin mund të mos realizojë kontratën sipas kushteve të kontratës, duke devijuar nga cilësia. P.sh, kompania e përgjegjshme, por e cila ka pasur çmimin më të lartë, ka pasur ofertën prej 781 mijë eurove.
Komuna e ka hapë këtë thirrje të prokurimit që në janar të këtij viti, por është zvarritur për disa muaj ngase ka pasur ankesa nga një kompani për procedim të kundërligjshëm nga ana e komunës. Pretendimet ia ka rrezuar prokurimi komunal.
Sopa pas dy dënimeve që ka marrë- kompaninë e ka lënë në duar të Bexhet Baftjaraj, i cili që disa javë është aksionarë tek kompania.
Ligjit për Prokurimin Publik e penalizohet për dhjetë vite pronarin dhe kompaninë që drejtohet nëse dënohet për veprën penale “mashtrim në prokurimin publik”.
Nenit 65, paragrafi 3 thotë se: Operatori Ekonomik nuk ka të drejt të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e ndonjë vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazheve ose aktiviteteve të ngjashme.
Në dhjetor të 2020, Policia e Kosovës, kishte njoftuar se e ka arrestuar drejtorin e kompanisë “NBT -ING” SH.P.K, i cili dyshohej për mashtrim, falsifikim, dhe keqpërdorim në prokurim publik, i cili duke përdorur dokument të falsifikuar, kishte arritur të fitojë tenderin në vlerë prej 811 mijë e 372 e 13 euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale në Kosovë.
Zyra e Prokurimit e Këshillit Prokurorial të Kosovës e pati përzgjedhur konsorciumin “NBT –ING” & “BAJRAMAJ” si fitues të këtij tenderi, që ishte nënshkruar më 28 prill të vitit 2020.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhej se i dyshuari Tahir Sopa ka falsifikuar dokumentin “Letër përkrahje” të datës 12.12.2019 të bankës me të cilin gjoja se banka i ka siguruar përkrahje kompanisë së tij në vlerë prej 200 mijë euro.
Sipas Policisë, Tahir Sopa përveç që dyshohej për veprën penale “falsifikim”, atij i ngarkohen edhe dy vepra tjera penale: “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “mashtrim”.
Më 12 shkurt 2023, Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtjes dhe palës së dëmtuar- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 10 tetor 2022, të akuzuarin Tahir Sopa e kishte dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Pra Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, akuzohej se me dokument të falsifikuar kishte fituar tender mbi 800 mijë euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK)
Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i cili rezulton të jetë marrë më 12 janar 2023, thuhet se ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësve të të dënuarit Sopa, avokatëve Imer Beka e Flamur Bllacaku, si dhe ankesa e të dëmtuarës- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), janë të pabazuara.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte parashtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me burgim, më i lartë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes përfaqësuesit ligjor kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, vendimit lidhur me sanksionin penal dhe kërkesës pasurore-juridike, me propozim që ta prish ose ndryshojë aktgjykimin dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Ndërsa, mbrojtësit e të dënuarit Sopa, avokatët Beka e Bllacaku, kishin parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të KPPRK-së dhe KPRK-së, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimin mbi dënimin.
Ata kishin propozuar që të aprovohet ankesa e tyre dhe të mbrojturit të tyre sipas nenit 47 (Qëllimi i dënimit me kusht) të KPRK-së të shqiptojë një dënim me burgim dhe të njëjtin ta zëvendësojë me dënim me gjobë, por sipas tyre nëse Gjykata e Apelit gjen se shkeljet e dispozitave ligjore nuk mund të tejkalohen, të anulohet aktgjykimi dhe lënda të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.
Sipas Apelit, Prokuroria në ankesë nuk thekson asnjë rrethanë që është anashkaluar nga gjykata e shkallës së parë, por rrjedhimisht nuk thekson as rrethanat që janë vlerësuar nga gjykata e shkallës së parë që kanë ndikuar në shqiptimin e dënimit se përse rrethanat e tilla nuk janë peshuar drejt.
“Nga ankesa, Prokuroria vetëm thekson vlerësimet e saja si organ ndjekës se dënimi nuk është adekuat, por pa specifikuar ndonjë shkak që mbështet në ndonjë rrethanë konkrete, rrjedhimisht duke mos dhënë asnjë arsye as të përgjithshme dhe as konkrete, kolegji gjen se pretendime e tilla ankimore nuk janë të pabazuara”, thuhet në vendim të Apelit.
Po ashtu, Gjykata e Apelit ka refuzuar edhe kërkesën e të dëmtuarës – Këshillit Prokurorial të Kosovës, për sa i përket kërkesës pasurore-juridike.
Ndryshe, më 26 nëntor 2021, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Naser Foniqi, e kishte dërguar këtë rast në Departamentin e Përgjithshëm, por që më tutje ishte vendosur që kompetent për ta trajtuar këtë rast është Departamenti i Krimeve të Rënda.
Ndërsa, më 10 tetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Sopa, duke e dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 korrik 2021, Tahir Sopa më 12 dhjetor 2019, në cilësinë e përfaqësuesit të firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, kishte prezantuar dokument të falsifikuar për të fituar tenderin në vlerë mbi 800 mijë euro, për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se të dyja këto firma, përfaqësuesi i të cilave ka qenë i akuzuari Sopa, kishin aplikuar në tenderin e shpallur nga autoriteti kontraktues, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe se njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë eurove në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sopa kishte prezantuar letër-përkrahje të lëshuar kinse nga NLB Banka për përkrahjen e kompanisë “NBT ING SHPK” për garancion bankar në vlerë 200 mijë euro, e cila letër-përkrahje ka rezultuar si e falsifikuar.
Për këto veprime, Sopa ngarkohej se me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik duke paraqitur dokumentacion të rrejshëm, me anë të cilit është shpallur fitues i tenderit në vlerë 811 mijë e 372 euro e 13 centë, me këtë rast i kishte shkaktar dëm buxhetit të KPK-së.
Sopa ngarkohej me veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, paragrafi 3, i Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /Periskopi/



